Liderë pa pasqyrë

0

URAN KRASNIQI

Liderët poltikë të subjekteve të opozitës do t’i shohim të shtunën në një protestë për siç thonë ata kundër kapjes së shtetit. Do t’i dëgjojmë ata tek numërojnë skandalet e kundërshtarëve të tyre poltikë shumica prej të cilave në mos të gjitha edhe janë të vërteta. Nga fjalët e tyre ne do të kuptojmë se si Thaçi dhe Mustafa janë të këqinj dhe se si ata janë të mirë. Teksa ata janë duke mbajtur fjalimet e tyre do të duket se ashtu është, sepse bëhet fjalë për komunikim vetjak ku nuk është vendi që të ushtrohet replikë. Por fjalët e tyre nuk kanë se si të mos e nxitin tjetrin që të mendojë se a është krejtësisht ashtu si po thonë ata.

Mua më duket që liderët e subjekteve opozitare në Kosovë i shohin vetëm defektet e kundërshtarëve të tyre dhe nuk kanë marrin asnjëherë mundin që të shohin veten në pasqyrë. Më saktë nuk e di a kanë ata njerëz pasqyrë.  Më duket se nuk kanë pasqyrë.

Unë nuk e di kush i ka thënë  Albin Kurtit që në një vend që SHBA dhe shtetet e tjera perëndimore ia sollën lirinë dhe ia sponzoruan shtetin, të duhet të krijosh hapësirë për frikë nga të tjerët se je antiamerikan e antiperëndimor?; kush i ka thënë që njerëzit mund ta besojnë se ai është më i fuqishëm se sa Perëndimi dhe se ata më shumë duhet të mbështeten tek ai se sa tek ky bllok?; kush i ka thënë që në një vend me islam paqësor, ku në masën më të madhe rrymat e reja të fesë janë të papranueshme, duhet të krijojë dyshime se nuk e pengojnë këto grupe?; kush i ka thënë që duhet të përjashtohen nga partia, duhet të etiketohen e duhet të fyhen, ata që nuk  pajtohen me të?; kush i ka thënë që nuk është dashur të sqaroj ditën që ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje se “nga tash e tutje unë nuk jam më vetëm aktivist, por edhe politikan dhe ka mundësi që me të gjitha subjektet e tjera politike mund të bashkëpunojmë varësisht interesit”, por të vazhdosh njëjtë?; kush i ka thënë ta bëjë subjektin tezgë tregu ku produktet (lexo figurat) politike që nuk u shiten te populli nga subjektet e tjera do të blihen nga ai? Etj.,etj.

Unë nuk e di kush i ka thënë Ramush Haradinajt që bën të jetë edhe pronari i një shtëpie të ndërtuar si e ka ndërtuar në Prishtinë e edhe të të duan populli për lider?; kush i ka thënë që mund të bëhesh udhëheqës ani pse vlojnë fjalët se si njerëz të afërt me të ushtrojnë veprimtari haraçi?; kush i ka thënë që do të marrësh vota edhe pse thuhet se “aparatët” e lojrave të fatit mbahen nga njerëz të afërm me të?; kush i ka thënë që është mirë që të mos e lëshosh objektin ku e i ke zyrat si pronë shoqërore që është e ta gjesh diku një vend ku paguan qira?; kush i ka thënë që që është mirë të kesh gjithë ata badigardë pas vete si shpurë dhe se një gjë e tillë të bën mirë për imazh?

Unë nuk e di kush i ka thënë Fatmir Limajt që njerëzit besojnë që ai është i mirë e ish-shoku  Thaçi i keq, kur për trembëdhjetë vjet kanë ngrënë bashkë me një pjatë?; kush i ka thënë që njerëzit nuk dyshojnë që e ka korroptuar edhe EULEX-in për ta lënë anash rastin e tij?; kush i ka thënë që vërtetë besohet që motra e tij është në RTK me procedura të rregullta dhe jo pse është motra e tij?; kush i ka thënë që njerëzit po besojnë që vllau yt është në PTK vetëm pse na qenka doktor i “shkencave ekonomike” (sic!) dhe jo për arsye të tjera?;  kush i ka thënë që  njerëzve do t’u pëlqen që djali yt shkollohet në kushte moderne në SHBA kur fëmijët e bashkëluftëtarëve tu nuk kanë mundësi modeste shkollimi në Kosovë?

Në Kosovë kaherë nuk do të qeveriste Hashim Thaçi (po e përjashtoj Mustafën meqë partia e Thaçit ka dalë e para në zgjedhje dhe zhvillimet e fundit janë pasojë e kësaj), sikur liderët e subjekteve tjera të mos kishin defekte të mëdha. Sikur të kishin sens për pranimin e tyre dhe të shihnin mundësinë për të ndryshuar nga vetja. Sikur të kishin pasqyrë dhe të shikonin se ku nuk duken mirë e të intervenojnë. Por jo sepse atyre, ani pse jetojmë në këtë kohë iu mungon diçka e thejshtë që është edhe nevojë elementare e njeriut: pasqyra. Dhe duke mos pasur vetë pasqyrë ata rrezikojnë që të bëhen protagonistë mes qesharakes dhe rrezikshmërisë në pasqyrat e tjera.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here