Liderë botëror e urojnë presidenten dhe i premtojnë mbështetje në proceset interguese

0

PRISHTINË, 17 SHKURT – Kryetarë shtetesh dhe personalitete të tjera po vazhdojnë t’i dërgojnë telegrame urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e 17 Shkurtit, përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pas presidentit amerikan Barak Obama telegram urimi ka dërguar edhe Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II.  “Me kënaqësinë më të madhe i dërgoj Shkëlqesisë Suaj përshëndetjet e mia më të ngrohta në festimin e Ditës tuaj Kombëtare, bashkë me urimet e mia më të mira për lumturinë dhe begatinë e popullit të Kosovës në vitin në vijim”, ka theksuar ajo në urim. Presidenti i Austrisë, Heinz Fisher në urimin e tij është lutur “për një të ardhme të begatë të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”. President i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë ndërkaq se beson në “marrëdhëniet e afërta miqësore dhe vëllazërore ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, të bazuara nga lidhjet e lashta historike, kulturore dhe njerëzore”. Erdogan e ka shfaqur besimin se Kosova nën lidershipin e presidentes Jahjaga “si një vend i respektuar i familjes së popujve të botës dhe si një partner i besueshëm i komunitetit ndërkombëtarë do të përparojë me hapa të sigurt drejt integrimit me institucione euroatlantike”. Urime ka dërguar edhe presidenti i Hungarisë János Áder, vendit drejt të cilit muajve të fundit kanë mësyer shumë qytetarë të Kosovës. “Me lejoni që t’ju shpreh urimet më të mira, Juve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës me rastin e Ditës suaj Kombëtare. Është kënaqësi e madhe për mua se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë zhvilluar mrekullueshëm që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Hungaria vazhdon që ta mbështesë fuqishëm të ardhmen evropiane të Kosovës; unë mund t’ju siguroj që mund të llogaritni në ndihmën tonë për t’i realizuar synimet tuaja integruese”, është shprehur kryetari hungarez. “Duke ju uruar mbarësi në punën tuaj të përgjegjshme, ju lutem pranoni, Zonja Presidente, bindjet e konsideratës sime më të lartë”, ka përmbyllur ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here