“LEZHA NË KLINË-KLINA NË LEZHË”-JETËSOHET BASHKIMI SHPIRTËROR

0

Ka kaluar një dekadë, kur vëllezërit të një gjaku, një gjuhë dhe të një ëndrre, Komuna e Klinës dhe Bashkia e Lezhës, patën nënshkruar Kartën e Binjakëzimit mes këtyre dy qendrave lokale. Ky binjakëzim kishte për synim që një komb tashmë i vëllazëruar, i afruar e i integruar në shumë sfera të jetës, që deri dje ka munguar, të kalisin integrimin e plotë dhe të ndërsjellë në lëmenj të kulturës, ekonomisë, sportit dhe fushat tjera. Dhe, nënshkrimi i kësaj Karte të këtij Binjakëzimi nuk mbeti vetëm në sirtarët e këtyre dy qendrave, mirëpo, që nga ajo ditë e sublimimit të këtij akti, mes këtyre dy qendrave komunale dhe bashkiake u zhvilluan shumë aktivitete dhe veprimtari.
PËRÇIMI I MESAZHEVE VËLLAZËRORE
Forcimi i këtij komunikimi dhe bashkëpunimi në mes të këtyre dy qendrave, të Komunës së Klinës dhe të Bashkisë së Lezhës u konfirmua edhe këto ditë, kur në Lezhën Historike të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, të Gjergj Fishtës dhe të shumë figurave të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare, të shumë ngjarjeve të rëndësishme të zhvilluara gjatë rrugëtimit tremijë vjeçar të këtij vendbanimi të lashtë iliro-dardan, u takuan vëllezërit. Me këtë rast, përpos zhvillimit të shumë veprimtarive u përçuan edhe shumë mesazhe vëllazërore të këtij kombi.
Me moton “KLINA NË LEZHË”, organizuar nga Komuna e Klinës dhe drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në Klinë, u takuan vëllazërisht dhe zhvilluan veprimtaritë e shumta këto dy qendra. Ky takim i përbashkët e vëllazëror ishte vazhdimësi e manifestimeve që kanë zënë të bëhen tradicionale që nga viti i kaluar, kur Lezha ishte në Klinë dhe promovojë vlerat dhe potencialin e vet në shumë sfera të jetës kulturore, ekonomike, sportive e të tjera. Klina, këtë “borxh” vëllezërve lezhjanë ju kthejë këto ditë, të cilët u prezantuan, po ashtu me vlerat e tyre në mënyrë tepër dinjitoze. Nga Klina merrnin pjesë stafi komunal i pushtetit lokal në krye me kryetarin Sokol Bashota, anëtarë të Asamblesë komunale të Klinës, përfaqësues të bizneseve (Fabrika e ëmbëlsirave “AMO”, Birraria “Grembeer”, Fabrika për përpunimin e qumshtit “Ital-Kos”), artizanatëve(OJQ”Zana”) etj. Po ashtu merrnin pjesë grupe kulturore muzikore, piktorë, krijues letrarë etj. Me punime skulpturore mori pjesë skulptori Butrint Morina. Gjithashtu, u prezantua edhe mjeshtri i punimit të veglave autoktone, Pren Palushaj.
Këtij aktiviteti i parapriu takimi i dy kryetarëve, kryetarit të Bashkisë së Lezhës, z. Viktor Tusha dhe kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, të cilët shprehen kënaqësinë e ruajtjes së këtij kontinuiteti të komunikimit dhe bashkëpunimit mes këtyre dy qendrave të vëllazëruara. Kryetarët Tusha dhe Bashota, premtuan se ky komunikim dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe do të pasurohet.
TUSHA: FALËNDEROJ KRYETARIN BASHOTA PËR ORGANIZIMIN E KËSAJ DITE NË LEZHË
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, z. Viktor Tusha, në fjalën e tij të mirëseardhjes së vëllezërve të tyre klinas u shpreh: “I nderuari kryetar i Komunës, z. Sokol Bashota, i nderuari ambasador, i nderuari kryetar i Adsmblesë Komunale të Klinës, këshilltarë, qytetarë të Klinës dhe bashkëqytetarë të Lezhës, Do të doja që së pari të falënderoj zotin Bashota për organizimin e kësaj dite klinase në qytetin e Lezhës, si një mesazh bashkëpunimi që u jepet qytetarëve tanë, qytetarëve të Lezhës dhe qytetarëve të Klinës. Ne jemi tashmë të binjakëzuar para ca vite me komunën e Klinës. Jemi përpjekur gjithnjë që përmes takimeve tona, të këshillave komunale, të kryetarëve të këshillave, por edhe të anëtarëve të këshillave, por edhe të administratave tona të shkëmbejmë eksperiencat e mira që ne kemi të njëri tjetrit, të shkëmbejmë traditat, kulturën artin, sportin, por asnjëherë nuk kemi arritur që të bëjmë një shkëmbim të këtillë kaq të bukur. Dhe unë gjej rastin ta falënderoj zotin Bashota , ku përmes zotit Bashota do të doja që të falënderoj gjithë qytetarët e Klinës, për atë organizim të bukur që ne bëmë, titulluar me moton DITA LEZHJANE NË KLINË. Sot është moment që të kthehet kjo vizitë, DITA KLINASE NË LEZHË, ku ne kemi organizuar me zotin Bashota disa elemente të rëndësishme aktivitetesh dhe besoj se do të jenë aktivitete të cilat do të mbushin me entuziazëm secilin pjesëmarrës , por është rast që t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve lezhjanë që të jenë pjesë e këtij evenimenti të rëndësishëm. Normalisht ky takim sot, apo ky aktivitet zhvillohet pas atij aktiviteti që Qeveria Shqiptare së bashku me Qeverinë e Kosovës zhvilluan në Tiranë dhe besoj është mesazhi më i mirë fillimi jo vetëm i njohjes së traditave , i njohjes së kulturave, i shkëmbimit të eksperiencave,por është fillimi i zhdukjes së kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj se ky është mesazhi më i mirë i gjithë këtyre aktiviteteve që zhvillojmë së bashku”, konstatoi kryetari Tusha.
Ndërkaq, Sokol Bashota në këtë konferencë të organizuar për shtyp tha: “I nderuari kryetari i Bashkisë së Lezhës, i nderuari ambasador i Kosovës në Shqipëri, të nderuar ju lezhjanë, vendës klinas. Sot është një eveniment mjaft i rëndësishëm për komunën e Klinës, për arsye se edhe Lezhën po e kthejmë në Klinë dhe këtë kënaqësi do t’ju japim gjithë qytetarëve të Lezhës, të ndihen tamam sikur në Klinë.
Këtë ndjenjë e kemi pasur para pak ditësh në Komunën e Klinës kur kryetari i Bashkisë së Lezhës ishte prezent me sërë aktivitetesh në Komunën tonë. Unë dëshiroj që në emër tim dhe në emër të Komunës së Klinës të falënderoj kryetarin për pritjen që na ka organizuar sot, që do të jemi edhe sonte gjatë mbrëmjes. Unë në këtë rast dëshiroj ta falënderoj ideatorin, të cilit as unë as kryetari i Lezhës nuk dëshirojmë për t’ia marrë autorësinë, por ideja e gjithë këtij bashkëpunimi apo këtij evenimenti, qoftë Lezha në Klinë apo Klina në Lezhë, është e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, z. Minxhozi. Sot në pamundësi nuk është në mesin tonë për shkak të angazhimeve dhe agjendës që ka, si rezultat që dje ishte edhe takimi i dy qeverive tona, ka nënvizuar kryetari Bashota.
BASHOTA: FALË LUFTËS SË UÇK-së, FALË ATIJ GJAKU QË ËSHTË DERDHUR, SOT TË DY VENDET KANË MUNDËSI PËR T`I TRANSMETUAR TE NJËRI-TJETRI ATO TË ARRITURA QË I KANË NDËRMARRË NDËR VITE.
Sot, të nderuar lezhjanë ne jemi në Lezhë me një sërë aktivitetesh kulturore dhe besoj se duket si paradoks kur themi se shqiptarët andej dhe këndej kufirit kanë nevojë që t’i shkëmbejnë kulturat, traditat. Nësë këtë e shohim në sy të një italiani, gjermani, anglezi apo dikujt tjetër . Por ne më të vërtetë kemi nevojë sepse kufijtë mes dy vendeve tona ishin të mbyllur dhe na ishte pamundësuar kjo lëvizje e lirë për të shkëmbyer vëllazërisht ato që kemi pasur nëpër lokalitete tona. Falë luftës së UÇK-së, falë atij gjaku që është derdhur, sot të dy vendet kanë mundësi për t’i transmetuar te njëri – tjetri ato të arritura që i kanë ndërmarrë ndër vite. Dhe besoj se ky bashkëpunim i mirë do të vazhdojë edhe në të ardhmen për arsye se tashmë i hapëm rrugë, jo vetëm lëvizjeve kulturore, artistike , por edhe bizneseve të ndryshme. Të cilat andej dhe këndej kufiri zhvillohen në mënyrë të suksesshme dhe besoj se kanë nevojë për dorën e njëri –tjetrit. Dhe, cila është më e mirë se sa dora e vëllait ndaj vëllait? Në këtë rast, unë mendoj se Shqipëria i jep shumë mundësi në biznes të ndryshëm, siç është turizmi, bregdeti, për arsye se kanë këtë mundësi, por edhe tek ne ekzistojnë mjaft resurse ekonomike për ata biznesmenë të cilët dëshirojnë për të investuar në Kosovë të cilët janë të. Unë edhe një herë dëshiroj ta falënderoj kryetarin Tusha për këtë mikpritje që na ka bërë sot . Urime dhe suksese të gjithëve edhe në të ardhmen”, shtoi kryetari Bashota.
AKTIVITETE TË SHUMTA, TË PËRBASHKËTA KULTURO-ARTISTIKE
Në këtë manifestim, po ashtu me krijimet e tyre u prezantuan krijuesit e Klubit të shkrimtarëve “Vorea Ujko”. Në Galerinë e Arteve në Lezhë, ekspozuan: Azem Gashi, Idriz Berisha, Sejdi Kapllanaj, Luan Jakupi, Agim Morina, Sanije Zenunaj e Avni Rexhepaj. Me fjalë të rastit u prezantua piktori, Idriz Berisha. Organizimin e këtij evenimenti kulturor e përshëndetën edhe kryetari Viktor Tusha dhe Sokol Bashota.
Atmosferën festive e begatuan edhe vizita te Mauzoleu i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kurse të parët e dy qendrave lokale mbajtën e zhvilluan dhe veprimtari të tjera.
Me këtë rast, në ambientet e Bibliotekës Publike të Lezhës, u organizua edhe promovimi i librit,”Dhe unë rri me diellin”, të krijuesit letrar klinas, Hajdin Morina. Për vlerat e librit folën Gjergj Shyti (Lezhë) dhe Prend Buzhala (Klinë). Autori i këtij libri, Hajdin Morina, në fjalën e tij përshëndetëse theksoj se ndihem mirë dhe tepër i privilegjuar, që promovoj librin tim në Lezhë, në qytetin e madh të historisë dhe të fjalës shqipe, në qytetin e Gjergj Kastriotit e Gjergj Fishtës dhe të emrave të tjerë që lanë gjurmë këndej, siç janë Frang Bardhi, Pjetër Zarishi, arbëreshi Leonardo de Martino etj. Lezhën e sotme unë e identifikoj me emrin e poetit Ndoc Gjetja, ndër lirikët më të mëdhenj të poezisë shqipe, i cili në art dhe në jetë ka dhënë shembullin e njeriut që sakrifikohet për të bukurën. Jashtëzakonisht e pëlqej antikonformizmin letrar e politik të poetit të madh Ndoc Gjetja. Në fund falënderoj autorët e kësaj ngjarje kulturore dhe të aktiviteteve të tjera që bashkojnë Klinën me Lezhën, pra kryetarin e Bashkisë Lezhë, z. Viktor Tusha dhe kryetarin e Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota. Me fjalët e tyre të rastit kontribuan edhe dy kryetarët, z. Tush dhe z. Bashota, po ashtu edhe drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, znj. Kristina Lazri.
Në mbrëmjen e kësaj dite u mbajt edhe një koncert i përbashkët i muzikantëve e solistëve të Lezhës dhe Klinës në Pallatin e Kulturës, ku nga klinasit u paraqitën rapsodët Lekë e Gjokë Duhani, solistët Fatmir Berisha, Halit e Daut Gashi, Edona Morina, si dhe aktori Ismet Krasniqi etj. Ndërkaq nga artistët dhe këngëtarët lezhjanë u veçuan Shpresa Selimi, Kastriot Kola, Mark Gjoka, Llesh Gjin Prenka, Xhovalin Ndreka etj.
Në darkën e mikpritjes së ngrohtë përreth “sofrës lezhjane”, në të cilën me përshëndetjet e tyre ndarëse u prezantuan dy krerët të këtyre dy qendrave lokale, z. Tusha dhe z. Bashota, por edhe shumë personalitete të tjera që përfaqësonin këto qendra, më ç’rast përçuan shumë mesazhe për një angazhim të përbashkët dhe arritje më të mëdha dhe prosperuese, jo vetëm për këto dy qendra lokale, por edhe për mbarë kombi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here