Letra e Takut – si gjethe fiku

0

BEHAR GJOKA

Letra e kreut e Spartak Brahos, deputet i LSI, pati efekt të shpejt në skenën politike shqiptare. Në kuptimin konkret, letra e fortë, bubulluese dhe parathënëse, shkundi themelet e shtetit, të asaj pjese të mbetur si rastësisht në këmbë. Gjithashtu, pa këtë lartsynim politikëbërës, lëkundi përfundimisht, fijet e besimit te politika shqiptare, të qytetarëve shqiptarë, po kaq të faktorit ndërkombëtar, që presin rregullimin ligjor e jo fshehjen e të vërtetave, sa herë që politika zhgrryhet në batakun e vetë. Tani, jemi në situatë të ngrirë, gati-gati të legalizuar si hapësirë komunikimi, ku hajduti bërtet kapeni hajdutin, ku imoraliteti ndeshet me amoralitetin, në emër të nderit të humbur. Të përfshirë në një betejë bajlozash ( hamenduese), sërish si shumë herë të tjera, për të mbërritur asgjëkundi. Letrat, dikur ishin të hapura, po edhe tani në shtetin ligjor, së paku kështu mëtohet, po ruajnë fuqinë magjike, për të ndalur rrjedhën e anormalitetit, ku rroposemi çdo ditë, në llucën e politikëbërjes së mbrapshtë. E kur letrat, me karakter politik, ishin të hapura bëhej gjëma, madje në shumicën e herëve mrekullia e tyre, sillte zgjidhjen e shumëpritur, pa menduar hiç për pasojat për palën që ndëshkohej, popullin fakir-fukara. Kësaj radhe, letra e hapur, nuk është e rastësishme, përkundrazi ajo vjen e tejngarkuar me mesazhe dhe bart vlera të dyfishta: Nga njëra anë, letra e Takut, doli në tregun mediatik në kohën e duhur, shkoi po ashtu në vendet e duhura, me shumë mundësi për të mbuluar, me gjethe fiku zullumet e qeverive, të partive aktuale që kanë qeverisur vendin në këto vite, të gjitha se bashku, me në krye LSI, PS dhe PD, si parti qeverisëse dhe bashkëqeverisëse, në të gjithë treguesit e korrupsionit, e sidomos në hijet e aferave të korrupsionit në marrëdhënie me CEZ-in. Nga ana tjetër, si me një dorë magjistari nga prapaskena, letra shërben si një gjethe fiku, tashmë e shoqëruar me tipare të tejdukshmërisë, për të zbuluar dhe rizbuluar hallatet e Priftit, në aferat seksologjike, sikur sojllitë e tjerë kanë mbajtur bishtukun. Pra, këso here, letra shpërfaqet si gjethe fiku, më aftësi të shtuara, mbulon qeveriun dhe qeveritë në mbretërinë e korrupsionit, po kaq zbulon mungesën e moralit, zellin për të hyrë në gjirizet e jetës së jetuar paturpësisht, nga horrllëku i politikës sonë. Letra, me gjasë letërshkruesi, si të gjithë autorët e tjerë të letrave të hapura, pa lënë pas dorë, letrat anonime, që i kemi për zemër ne shqipot, duke ditur afeksionin e shqiptarëve, për qefhanen e burrave dhe grave, se si zdrahen moteleve dhe hoteleve, gati frenoi arsyetimin për të mësuar se çfarë po ngjet me CEZ-in, në kuptimin financiar dhe të shkatërrimit të ekonomisë. Ka shqiptarë, që duan të dinë se si përdoren veglat nga graria dhe mashkullia e politikës, sepse është tërheqëse. Po kaq, ka njerëz që më tepër u intereson se çfarë ngjet me finanacat publike, me taksat dhe çmimet, zhvillimin ekonomik dhe integrimet euroatlantike. Pra, pas letrës famëmadhe, nga do të anoj kandari i peshores së fatit të mëkatarëve të CEZ-it. Kush ka kohë dhe nge le të gajaset me pjesën komike, me hallatet e Priftit, që tashmë vijon të çudis veten me përgjimet dhe vetëpërgjimet, tragjikomike. Megjithë forcën rrezatuese të letrës, nuk arrihet që të dilet nga udhëkryqi që politika ia ka ngrehur vetes, ku palët në konflikt bëjnë sikur po ndeshën për jeta a vdekje, duket se dy momentet thelbësore të kësaj afere, e nervozojnë politikën shqiptare të gjithë krahëve. Momentin kur në pushtet ishte PD dhe LSI, ndodhi largimi i CEZ-it, që dihej se nuk do të rrinte duar kryq nga ana ligjore. Momenti tjetër, kur pushtetin e mori PS dhe LSI, në abitrazh ndërkombëtar, i falen qindra miliona euro CEZ-it, në kurriz të shqiptarëve të varfër, që hyjnë në burg për pesë aspra. Të dy këto momente prej kohësh kanë qenë në terr, në tnelet e krimit dhe korrupsionit, prandaj zbardhja e tyre, nxjerrja e fajtorëve, hetimi i shkeljeve dhe shpërdorimeve të kryera ndër vite në CEZ, është jetike për ekomoninë e vendit, e po kaq të secilit qytetar të këtij vendi që rreshqet në kaos. Kush mendon për jetën e qytetarëve, të ekonomisë shqiptare, fatet e kombit, në këtë hapësirë, le të përgjigjet për gjithçka që ka ngjarë në CEZ, në të gjitha instancat, në prokurorinë shqiptare dhe në gjyqet ndërkombëtare. Po, edhe në gjyqet ndërkombëtare, jo pse e thotë PD, që është pjesë e dështimit të marrëdhënies me CEZ, por sepse prokuroria shqiptare është pjesë e drejtësisë shqiptare, me kaq shumë probleme, që do të duhet reformuar, dhe mbi të gjitha e dalë prej shpërgajve të politikës së përfshirë në aferat e krimit dhe korrupsionit. Pra, letra e kthyer në barkë shpëtimtare, duket se i vrau dy zogj më një të shtime, mbuloi zullumet e politikës aktuale, rizbuloi edhe njëherë hallatet e Dritanit, se përpak i harruam, e tash e ka radhën zogu i tretë, drejtësia që ose do të reformohet në kthetrat e politikës ose do të jap drejtësi, gjë që duket një ëndërr në diell.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here