Letër rektorit dhe kolegëve studentë

0

HALIM KAFEXHOLLI E SHKUMBIN KAJTAZI

Po shkruajmë sot, duke mos dashur të shkruajmë; po shkruajmë, duke mos besuar që po replikojmë për tema të tilla; po shkruajmë, për ata që dëshpërimisht i kanë përfaqësuar studentët; po shkruajmë, duke dashur të ndryshojmë çasjen e gabuar të kolegëve tanë; dhe në fund, po shkruajmë me pak shpresë, duke ditur që rektori po bën një punë të mirë.

Të vetëdijshëm që do paragjykohemi për çasjen tonë, po marrim mbi supe barrën e kundërshtimeve, mbase edhe  të ofendimeve që do vijnë pas kësaj letre. Dhe, të bindur se cilësia është alternativa e vetme e Universitetit për të ardhme më të mirë, po fillojmë kampanjën tonë për mbrojten e Universitetit.

Të bindur që zëri i deritanishëm i studentëve nuk është dëgjuar si duhet, po ndjejmë obligim të flasim vetë – me hirë e me pahir, që gjërat t’i themi siç janë.
Ne nuk thirremi në emrin e askujt; ne flasim në emra të përveçëm, dhe jemi të gatshëm të përballemi me argumenta me këdo që ka diçka tjetër për të thënë.
***

Kolegë të nderuar, gjendjen e tanishme në Universitetin e Prishtinës, më së miri e dëshmon ranglista botërore e institucioneve të arsimit të lartë, në të cilën Universiteti i Prishtinës mbanë vendin e 4 mijë e 60, me pak avansime pas ardhjes së rektorit, Ramadan Zejnullahu. Por, ne duhet të kemi parasysh se, po që se vazhdohet me avazin e vjetër, fëmijët tanë do ta gjejnë Universitetin diku në fundin e këtyre listave të pafundme të universiteteve botërore, për të mos thënë se s’do ta gjenin fare – e ne do ishim fajtorët e vetëm. Disa do ishim fajtorë se nuk bëm gjë, e disa se bëm dëm.

Andaj, ju lutemi t’i thirrni logjikës, e të vini të diskutojmë për cilësi, dhe të marrim së bashku hapa që do ta rimëkëmbinin Universitetin. Historia e tij, tregon se ky Universitet meriton më shumë – të paktën nuk meriton të denigrohet e të përbuzet kështu.

I nderuar rektor, Universiteti i Prishtinës po prodhon kuadro pa përvetësuar kënaqshëm drejtshkrimin, e ç’të thuhet për studime më të thella – dhe punë e juaja është ta ndalni me çdo kusht këtë degradim. Po që se nuk e bëni, ti na ke borxh ne, por edhe gjeneratave që do vijnë.

Ju, me meritën kryesore tuajen, krijuat shanset që ky Universitet të ndryshoj, andaj bëni atë që keni nisur. Mos u ndalni nga disa presione farse, që burim kanë sipërfaqësinë. Universiteti meriton më shumë, e ne besojmë që ju mund t’i jepni.
Të jeni të sigurtë që keni në përkrahje studentë që nuk mendojnë për interesa vetjake, e ata janë të shumtë. Puna jonë e tanishme tregon se s’jemi për interesa tona, sa jemi për Universitetin. Thënë më thjeshtë, edhe për ne do ishte më e lehtë që provimet të na parashtroheshin gjashtë herë gjatë një viti. Por, kjo nuk na duhet, nëse nuk sjellë cilësi – e për që nuk sjellë, jemi të bindur. Të tillë që mendojnë si ne ka shumë, e me ta do të njiheni së shpejti, vetëm bëni punën që u takon.

Në vazhdimësi, ne, si studentë të këtij institucioni, ndjejmë obligim moral të reagojmë ndaj zhvillimeve në UP, dhe kërkojmë nga ju rektor, që të vazhdoni me këtë vendosmëri për ndryshim. Gjithashtu, me ngulmim lusim kolegët studentë, që mendojnë për një Universitet më ndryshe, t’i thojnë “JO” kërkesave të çuditshme të disa studentëve që thirren në emër të të gjithëve.

***
Kërkesat e të ashtuquajturve “Studentët e Pavarur” për uljen e kriterit të kushtit për të kaluar vitin dhe shtimit të afateve të provimeve, përveç se janë kërkesa banale, janë edhe kërkesa të cilat e nxjerrin Universitetin jashtë kritereve të duhura akademike. Këto kërkesa bien ndesh edhe me statutin e Universitetit, duke ditur se afati i prillit dhe i tetorit, janë afate të parregullta.

Duke pasur parasysh këtë, kërkojmë nga rektori të vazhdoj punën e tij konform statutit, sepse kërkesat e këtyre njerëzve, përveç uljes së nivelit arsimor, paraqesin edhe ç’rregullim të orarit mësimor.

Ky grup i vogël, i njohur si “Parlamenti Studentor”, organ i cili ka për detyrë perfaqësimin e studentëve, e që më së paku e bën një gjë të tillë, kërkojnë nga rektori të vazhdohet me “traditën” e njejtë – atë të shkeljes së statutit – duke menduar që po veprohet në të mirë të UP-së dhe studentëve.
Atëherë të nderuar, pse kjo rrjedhë nuk ndryshoj gjë deri më tani në cilësi, por vetëm prodhojë sasi të të paditurëve me diplomë?!
E, më e keqja në këtë mes është se, këta studentë, dëmin në Universitet, po e bëjnë duke menduar se po i bëjnë nder. Dhe, mos vetëdija për gjërat që po bëjnë, është më shqetësuese.

Nga të njejtit studentë, me të njejtat kërkesa, u bë presion në fillim të këtij viti në rektorin Zejnullahu, dhe si rrjedhojë Senati i UP-së plotësoi kërkesat e tyre, duke menduar dhe premtuar, që në vazhdim do t’i jepnin fund gjendjes emergjente në UP, gjë që parashihte kthimin në normalitet. Pra, heqjen e afateve të parregullta.

Duke ju kujtuar këto z.Zejnullahu, ju tregojmë se ne besojmë shumë në aftësitë tuaj menagjeriale dhe i qëndrojmë pas këmbëngulësisë tuaj.

***
Kolegë studentë, na takon që edhe ne t’i japim arsyeshmëri veprimeve tona në “vendin e dijes”; në vendin ku studiojmë, dhe ku pregatitemi profesionalisht. E, duke sqaruar më poshtë, po ju themi se këto kërkesa nuk sjellin cilësi, as veprime të arsyeshme, e as nuk i kontribuojnë ngritjes sonë profesionale.

Pa dashur të hyjmë në analiza të thella të kërkesave, që gjithsesi nuk kërkojnë ndonjë analizë të madhe për të nxjerrë në pah të këqijat, po tregojmë shkurt se ç’do të sjellni dy nga kërkesat.

Dy kërkesat e studentëve, mund të përmblidhen në dy-tre rreshta dhe, me një llogaritje të thjeshtë, mund të ilustrojmë dëmin që sjellin afatet e tepërta: nga 10 provime sa janë rëndom për një vit(me përjashtime) nëpër fakultete, përveç që mund të paraqiten në tri afate të rregullta, studentët po kërkojnë që të vazhdohet me avazin e vjetër – me gjashtë afate në vit. Pra, i bjen që për një vit, studenti të ketë mundësi të futet në më pak se dy provime për afat. Pos kësaj, një student brenda një viti, mund të futet edhe gjashtë herë në të njejtin provim, nëse veç do pranoheshin këto kërkesa. Paramendojeni çfarë cilësie e studimeve do të kemi – fatkeqësisht edhe kemi pasur.

Por s’është vetëm kaq. Kërkesat tjera synojnë ta ulin kushtin për të kaluar vitin. Pra, i kontribuojnë përtacisë së studentëve dhe i japin studentit një komoditet të paparë nëpër Universitete në mbarë botën. Paramendojeni, po synohet që kushti për të kaluar vitin e parë të jetë shtatë provime, ndërkaq për të kaluar vitin e dytë të kalohen vetëm katër sosh. E po, cilësi a?
Po që se një student, nuk arrin që në tri afate të rregullta t’i kryej dhjetë provime, që në gjithë botën studentët e arrijnë, atëherë çka po nxjerrë Universiteti?

***
E, të dashur kolegë studentë, duke u munduar të shpreheni objektivisht, a mund të na thoni ndershmërisht se këto kërkesa, sjellin më shumë të mira, a dëme tek studentët dhe tek Universiteti?

E, ju i nderuar rektor, a mund të na thoni se a guxojmë të lejojmë një gjë të tillë? Në këtë moment, a ka njeri tjetër, përpos jush, që me mbështetjen tonë do t’i jepte një përgjigje të merituar këtyre kërkesave?

***

E krejt në fund, ky grup i vogël, paska paralajmruar veprime më radikale nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre. E kjo e kalon edhe cakun e arsyeshmërisë. Për këtë, pra, për të treguar që kërkesat janë të paarsyeshme, gjithashtu për të mirën e Universitetit, e të studentëve në veçanti, na takon të “kundërradikalizohemi” dhe të mobilizohemi në kauzën e drejtë, dhe t’iu themi “JO” të tillë njerëzve dhe të tilla kërkesave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here