Leon Duhanaj largohet nga Vetëvendosje, shkak demokracia e brendshme

0

Leon Duhanaj nuk është më në lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka dhënë dorëheqje të hënën. Problemet me demokracinë e brendshme, sipas tij, kanë ndikuar që ai të mos e shohë veten pjesë të këtij subjekti. Duhanaj ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.

Adresimi i plotë i Duhanajt:

Të nderuar miq,
Dua te ju njoftoj që nga sot dorëheqem nga Lëvizja Vetëvendosje.
I falënderoj të gjithë për mbështetjen dhe bashkëpunimin.
Me poshtë e keni tekstin e dorëheqjes.
Me respekt,
Leon Duhanaj

DORËHEQJE

Në shenjë solidarizimi dhe respekti, për vlerat kombëtare, parimet dhe vlerat qytetëruese të demokracisë, lirisë individuale dhe kolektive, jap dorëheqje të parevokueshme nga çdo funksion në Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga anëtarësia e saj. 
Liria e mendimit dhe shprehjes së lire, mbrojtja dhe respektimi i të drejtave individuale, janë parimet bazë të demokracisë dhe progresit, pa të cilat vlera nuk ka shoqëri të lirë dhe të përparuar. Kush vepron në kundërshtim me këto vlera dhe parime, nuk përfaqëson vlerat e demokracisë dhe nuk mund të ketë mbështetjen time. Prandaj solidarizohem me të gjithë të përjashtuarit, për shkak të këtyre vlerave. 
Kam lindur, jam rritur dhe vazhdoj të jetoj në frymën e idealit kombëtar, ku secili shqiptar, në trojet e veta, të përfaqësohet në një shtet të përbashkët. Në këtë kontekst, besoj fort në parimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje, si koncept global. Në këtë frymë, u angazhova në Lëvizjen Vetëvendosje, me besimin se aty mund të ndërtohej një koncept i ri, mbi të cilat do t’i shërbehej vendit dhe kombit. Idealet mbi të cilat unë besoj- përpos mënyrës deklarative dhe simbolike, asnjërën nuk arrita t’i gjeja aty.
Bashkimi i shqiptarëve në një shtet është ideal gjithëkombëtar, ndërsa Kosova si shtet i pavarur është një hallkë e rëndësishme drejt këtij qëllimi, prandaj sulmet ndaj institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës nuk i shërbejnë këtij ideali. Mungesa e orientimit, e një filozofie, një qëllimi, nëse ka të tillë, e pamundësojnë vazhdimësinë e angazhimit tim. Po ashtu, mungesa e transparencës për çështje vitale organizative, ngulfatja e mendimit dhe shprehjes së lirë brenda organizatës dhe, përjashtimi i mendimit ndryshe përbëjnë precedent tepër të rrezikshëm për të tashmen e Kosovës dhe sidomos për të ardhmen e saj. Prandaj duke qenë se në këso ambienti, nuk mund të gjej motiv angazhimi të mëtejshëm, dorëheqem, duke i falënderuat të gjithë ata që me ofruan mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre.

Prishtinë: 13.04.2015
Leon Duhanaj

(Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në Lëvizjen Vetëvendosje)

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here