LDK-ja thotë se Shpend Ahmeti e turpëroi Prishtinën, kërkon dorëheqjen e tij

0

PRISHTINË , 28 JANAR – Grupi i Anëtarëve të Lidhjes Demokrarike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës e ka sulmuar sot ashpër kryetarin e kësaj komune, Shpend Ahmetin për shkak se ai ka marrë pjesë në protestën e mbajtur një ditë më parë në kryeqytet. “Duke qenë pjesëmarrës i protestave të dhunshme të 27 janarit 2015, duke dashur të ketë dalë si protestues dhe eksponentë politikë i Vetëvendosjes, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, harroi se është kryetar i kryeqytetit, harroi se është kryetar i të gjithë qytetarëve, se është udhëheqës dhe menaxhues i pasurisë së Kryeqytetit”, ka konstatuar LDK në Prishtinë. “Shpend Ahmeti jo vetëm që doli të mos jetë kryetar i denjë i qytetarëve të Prishtinës, por ai me eksponencën e tij dhe me sjelljen e tij, pa fije të ndërgjegjes politike, pa fije të ndërgjegjes e të përfaqësimit të të gjithë qytetarëve të kryeqyetit, doli të jetë një nga organizatorët e dhunës në kryeqytet”, është thënë nga Grupi i Anëtarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës. Ata e kanë arsyetuar në mënyrë indirekte edhe arrestimin e Ahmetit nga Policia e Kosovës. “Arrestimi i tij si protestues i pandërgjegjshëm reflektoi cenuesin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”. Shpend Ahmeti sipas LDK-së së Prishtinës “nga pushteti i Prishtinës e mallkoi Policinë e Kosovës”. “Ai nga pushteti i Prishtinës i bëri hyxhym rrënimit të shtetit të tij, ai nga pushteti i Kryeqyetit e turpëroi Prishtinën”, është tërhequr vëmendja nga Grupi i Anëtarëve të LDK-së në KK të Prishtinës. “Një rrënues i vendit e i shtëpisë së vet si ky kryetar, nuk i duhet as kryeqytetit e as pushtetit. Kërkojmë nga Shpend Ahmeti që ta shqyrtojë pozicionin e tij prej kryetari të kryeqyetit, vetëm dorëheqja e tij do ta shpëtonte kryeqytetin nga cënimi i rëndë që i bëri demokracisë së brishtë të këtij vendi”, janë shprehur ata.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here