Lazarat: Vritet një pjestar i forcave speciale, 2 plagosen

0

LAZARAT – Vritet një efektiv i forcave speciale të RENEA-s në fshatin e Lazaratit, ndërsa të paktën dy efektivë të tjerë janë plagosur. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Gjirokastrës.

Sipas njoftimit të policisë, efektivi i RENEA-s u qëllua me plumb në kokë nga një prej banesave të fshatit Lazarat. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA ishin në aksion për kapjen e personave që qëlluan në mesnatë, në qendër të fshatit.

Incidenti i rëndë vjen një vit pas superaksionit antikanabis, të ndërmarrë nga Policia e Shtetit. Për herë të parë policia ndërhyri në fshatin famëkeq, të njohur për kultivimin e kanabisit duke bërë të mundur çrrënjosjen e bimëve narkotike.

FNSH dhe policia tentuan ditën e sotme të hynin në brendësi të fshatit, por u sulmuan nga disa banorë me armë zjarri të rënda si, automatik dhe snajper. Ndërkohë që, janë mobilizuar FNSH-ja e Fierit dhe e Tiranës, forcat speciale dhe operacione, të cilat janë nisur drejt fshatit të Gjirokastrës.

10:35 – Policia: Efektivi u qëllua kur po kapnim autorët

Sipas njoftimit më të fundit të policisë, efektivi u qëllua nga një shtëpi, në momentin kur forcat RENEA kishin bllokuar makinën me grupit të armatosur, të cilët qëlluan me armë gjatë natës në Lazarat. Ndërsa deri më tani, policia konfirmon vetëm një efektiv tjetër të plagosur.

“Gjatë natës një grup i armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të shërbimeve të policisë, që kryejnë shërbim në Lazarat. Në mëngjes policia, FNSH dhe RENEA kanë filluar operacionin për kapjen e personave që kishin gjuajtur natën. Gjatë operacionit, në momentin që policia ka bllokuar makinën me autorët dhe disa armë që kanë gjuajtur natën, nga një drejtim tjetër nga një shtëpi është gjuajtur mbi policinë, ku për pasojë ka gjetur vdekjen një polic i RENEA-s, Ibrahim Basha dhe është plagosur dhe një polic tjetër i RENEA-s, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka rrethuar zonën, po bëhet krehja për kapjen e autorëve”, thuhet në deklaratën e policisë.

10:20 – Zbulohet identiteti i efektivit të vrarë

Ibrahim Basha, është efektivi i RENEA-s që humbi jetën gjatë aksionit të policisë. 31-vjeçari Basha, banues në Tiranë, u qëllua me snajper në kokë.

10:05 – Drejtuesit e Policisë dhe Prokurorisë drejt Lazaratit

Drejt Gjirokastrës kanë zbarkuar drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurorisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Adnand Xholi, së bashku më dy prokurorë të tjerë janë nisur drejt Gjirokastrës për të ndjekur nga afër situatën e tensionuar në Lazarat.

09:50 – Dy efektivë të tjerë të plagosur

Sipas informacioneve paraprake, dy efektivë të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në Spitalin e Gjirokastrës. Njëri nga efektivët e plagosur ndodhet në gjendje të rëndë, për këtë arsye pritet dërgimi i tij me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në kryeqytet.

09:23 – Të shtëna armësh gjatë natës në Lazarat

Fshati i Lazaratit u trondit nga të shtënat e armëve, gjatë orëve të vona të natës. Të shtënat mësohet se, u shënuan në pjesën e poshtme të fshatit të Gjirokastrës.

Që prej incidentit, në Lazarat vihet re prania e shtuar e efektivëve të policisë. Deri më tani, nuk raportohet për persona të plagosur nga të shtënat. Ende nuk dihen arsyet e ngjarjes, ndërkohë që policia po mban në kontroll situatën dhe ka nisur hetimet për të zbuluar autorët.

/Shekulli Online/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here