Lazarat, Aliko: Nuk qëlluan djemtë e mi

0

Prej tre ditësh, Policia e Shtetit vazhdon aksionin në Lazarat. E gjithë vëmendja e gati 400 policëve të angazhuar në këtë operacion është fokusuar në arrestimin e dy vëllëzerve, Arbion dhe Alban Aliko.

Për vendodhjen e dy vëllezërve nuk di gjë as familja e tyre. I kontaktuar në telefon nga Televizioni Klan, pasi nuk pranoi të flasë përpara kameras, babai i tyre Adil Aliko u shpreh se fëmijët e tij nuk kanë lidhje me ngjarjen ku u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Ai thotë se, nga komunikimi që ka patur me djemtë e tij, i kanë thënë se nuk dorëzohen pasi nuk kanë besim tek policia. Ndër të tjera, Aliko sqaroi se Arbioni dhe Albani agjërojnë dhe këtë muaj nuk mund të prekin armë me dorë.

Ai thotë se policia duhet të gjejë autorët e vërtetë të kësaj ngjarje, pasi sipas tij, në grupin që qëlloi mbi RENEA-n, ishin më shumë se 50 persona. Adil Aliko i tha Televizionit Klan se, në këtë grup personash, kanë qenë individë që policia i njeh mirë dhe se dy adoleshentë nuk mund të organizojnë dhe kryejnë një sulm të tillë.

Policia po kreh të gjithë fshatin, me shpresë për të ndaluar vëllezërit. Por Prokuroria për Krimet e Rënda ka dyshime se Arbion dhe Alban Aliko janë larguar nga territori i fshatit rebel, menjëherë pas ngjarjes.

Dyshohet se ata kanë përdorur momentin kur është vrarë Ibrahim Basha dhe plagosur Jetmir Isai dhe Perlat Hamiti për të ikur nga Lazarati. Në kohën kur është qëlluar mbi efektivët, e gjithë pjesa tjetër e RENEA-s kanë ndihmuar kolegët e tyre.

Deri tani, dy djemtë e familjes Aliko, nuk kanë dalë nga territori i Shqipërisë, pasi sitemi TIMS nuk e ka regjistruar një gjë të tillë.

Tv Klan


 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here