Lamtumirë doktor Adhamudhi!

0

Ndahet nga jeta aktori Aristotel Stefani

Aristotel StefaniAktori i njohur, Aristotel Stefani, është ndarë të martën nga jeta në moshën 84-vjeçare. Homazhet për nder të tij u bënë dje në teatrin e qytetit të Gjirokastrës, ku aktori jetonte. I njohur ndryshe me emrin Teli, Stefani ka lënë pas një mori rolesh në kinematografinë dhe teatrin shqiptar. Ai do të kujtohet si doktor Adhamudhi, një personazh të cilin ai e skaliti me mjeshtëri, apo për rolin episodik te filmi “Përrallë nga e kaluara”. Aktori u lind në vitin 1931 në fshatin Lliar të Zagorisë në Gjirokastër. Ai është angazhuar me trupat amatore si aktor që në moshë të re. Më 1945 ai aktivizohet me Trupën e Grupit amator të Klubit Artistik të Kuçovës, qytet në të cilin ai punonte si mekanik në sektorin e naftës. Dëshira e tij për artin do të bëjë që pas disa vitesh pune si mekanik, të lërë punën në naftë dhe të marrë rrugën e aktrimit profesional. Kështu, ai është ndër të parët aktorë të Estradës Profesioniste të Gjirokastrës e krijuar në vitin 1956. Në vitin 1966 emërohet drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Sarandës. Për nëntë vjet ai do të punojë në këtë shtëpi kulture jo vetëm si drejtor, por edhe si regjisor i saj. Në vitin 1975 kthehet në Gjirokastër për të punuar pranë Teatrit Profesionist të këtij qyteti. Të shumtë janë dhe rolet e tij në Teatër. Këtu mund të përmendim rolin e Doktor Adhamudhit në komedinë “Pas vdekjes” e Çajupit, rolin e Profesor Selckës në dramën “Shqetësimet e Anës” etj. Në kinematografi ka interpretuar në 14 role. Roli i tij i parë do të jetë roli i Abdurrahman Pinxhos në filmin “Njeriu me top” në vitin 1977, roli i Novruzit, rojës së Manastirit në filmin televiziv “Liri a vdekje” në vitin 1979, roli i njërit prej dasmorëve në filmin “Përrallë nga e kaluara” në vitin 1987. Në vitin 1998 Teli Stefani do të interpretojë edhe rolin e shërbëtorit, i cili do të jetë dhe roli i tij më i fundit, në filmin “Dasma e Sakos”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here