Kuvendi i Malishevës ndërpret seancën, shkaku i arrestimit të anëtarit të vet Valon Hoti

0

Edhe pse ishte duke u mbajtur seanca e rregullt e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ajo është ndërprerë, pasi në mes të seancës, gjatë pauzës, brenda hapësirave të Kuvendit të Komunës, përkatësisht në oborrin e objektit, është arrestuar anëtari i KK të Malishevës nga radhët e Vetëvendosjes, Valon Hoti.

Pasi, kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, kishte shpallur pauzë të seancës, me të dalë në korridorin e Kuvendit të Komunës, anëtari i kuvendit, Valon Hoti, është shoqëruar nga dy pjesëtar civil të policës dhe me të dalë në oborrin e komunës, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët, kanë zbatuar një urdhër arresti për Hotin.

Pas kthimit në sallën e mbledhjeve, kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, tha se “për shkak të situatës së krijuar, seanca nuk mund të vazhdoj”. Më pas, kryesuesi Thaçi, ka bërë edhe një deklarim para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ku arrestimin në hapësira të kuvendit,  e quajti cënim të integritetit të Kuvendit të Komunës, pasi Hoti, është i zgjedhur me votat e qytetarëve.

“Kjo sallë, është vend pune për ne. Ne e respektojmë ligjin dhe drejtësinë, dhe jemi për zbatim të ligjit, por mendoj se një arrestim i tillë, në oborr të kuvendit, është jo në rregull dhe jo i mirë. Organet e rendit, kanë mundësi të arrestojnë këdo dhe kudo, por nuk ka pasur nevojë të cënohet integriteti i institucionit. Imuniteti, integriteti dhe privatësia, të respektohen dhe të ruhen. E çmoj qëndrimin e anëtarëve të KK të Malishevës, gjatë asaj skene dhe uroj që të mos shohim skena të tilla, për të zgjedhurit e popullit”, tha mes tjerash kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here