Kuvendi i Kosovës i emëroi 3 anëtarë të KGJK-së me mandat 5 vjeqar

0

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka bërë sot emërimin e 3 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në emër të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, ka sqaruar se në mungesë të procedurave ligjore dhe kushtetuese, komisioni ka kërkuar listën nga KGJK-ja me emrat e të gjithë gjyqtarëve, me kërkesën që në listë të mos përfshihen gjyqtarët të cilët janë nën hetime ose që ka masa disiplinore ndaj tyre. Sipas saj Komisioni ka vlerësuar se kandidatët Nehat Idrizi, (nga Gjykata Themelore në Prishtinë) Armend Berisha (nga Gjykata Themelore në Pejë) dhe Gjemshit Galushi (Gjykata Themelore në Prizren) i plotësojnë kushtet për t’u emëruar nga Kuvendi anëtarë të KGJK-së. Selvije Halimi në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe Armend Zemaj, në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kanë përkrahur rekomandimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ndërkaq, Albulena Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se grupi i saj e kundërshton fuqishëm procedurën e përshpejtuar me procedimin e këtyre emrave, pasi sipas saj ka informata se njëri nga kandidatët e propozuar është nën hetim disiplinor. Haxhiu ka kërkuar që kjo çështje të shtyhet derisa Komisioni për Legjislacion të ketë informata se ndaj këtyre gjyqtarëve nuk ka asnjë hetim disiplinor. Edhe Daut Haradinaj, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së ka kërkuar që kjo çështje të shtyhet deri në verifikim, ndërkaq Haxhi Shala, nga Grupi Parlamentar Nisma ka thënë se e mbështetë kompletimin e KGJK-së. Kuvendi me shumicë votash i ka emëruar anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me mandat pesë vjeçar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here