Kush vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së lartë në Gerdoc të Podujevës?

0

Brenda rrethojave të Burgut të Sigurisë së Lartë, vuajnë dënimin persona që janë ndëshkuar me mbi 15 vjet heqje lirie.

Aktualisht në këtë institucion që ndodhet në Gerdoc të Podujevës, vuajnë dënimin 120 veta, të cilët konsiderohen si persona me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë.

“Mërzinë e qelisë, të burgosurit e heqin me aktivitetet e shumta që ofron ky institucion”, thotë drejtori i burgut Rasim Selmani.

Ndonëse e kanë kohën e tyre kur lëvizin të lirë, të burgosurit thonë se ndiejnë mall për familjarët, të cilët mund t’i takojnë dy herë në muaj.

Edhe vizitat që u bëhen, përcillen nën masa të rrepta të sigurisë. Veç gardianëve të cilët mbrojnë çdo cep të burgut, të dënuarit vëzhgohen edhe nga dhoma e monitorimit.

Drejtuesit e burgut thonë se deri tash nuk ka pasur asnjë problem serioz dhe se asnjëri nga të burgosurit nuk ka tentuar të ik.

Njëri nga të burgosurit e ka të freskët ndodhinë se pse e humbi lirinë.

“M’ka gjue një person, e kam gjue dhe m’ka mbetë në dorë”, tha një i burgosur.

Të dënuarit u bëjnë thirrje qytetarëve që ta ruajnë lirinë e tyre.

“Ta ruajnë lirinë si sytë e ballit se liria është shumë e shtrenjt, s’paguhet me sen t’zotit”, tha një i burgosur.

Burgu i sigurisë së lartë është funksional nga viti 2014. Me kapacitetet që ka aktualisht, në të mund të vendosen 390 persona.

Nga kjo javë, në njërin nga pavijonet e tij ka filluar vendosja e personave që vuajnë masën e paraburgimit. Aktualisht këtë masë  në Burgun e Sigurisë së Lartë e vuajnë 10 veta./Telegrafi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here