Kush po e mbronë Gjykatën Speciale?

0

MUHAMET BYTYÇI

Veç fakti që Thaçi, Veseli, Mustafa dhe Lista Srpska insistojnë në realizimin e një projekti, do të duhej të na bënte jashtëzakonisht skeptikë mbi atë projekt. Nuk ka fituar asnjëherë Kosova nga veprimet e tyre. Shpallja e pavarësisë dhe autostradat: këto janë të bëmat e vetme në të cilat mund të thirren. Por, të parën na e sollën në paketë me ndarjen etnike të vendit dhe bazamentin për republikën serbe që po ndërtohet; kurse të dytat me çmime që nuk i paguan as Gjermania e Sllovenia dhe me korrupsion qindra milionësh. Në anën tjetër, ka gati konsensus të përgjithshëm mbi të këqijat që ia kanë sjellë Kosovës po të njëjtit njerëz. Në mos konsensus të përgjithshëm, së paku shumica e analistëve që po parashohin fundin e botës nga moskrijimi i speciales, janë të vetëdijshëm se çka mund të na sjellin Thaçi, Veseli e Mustafa: asgjë pos ujkut në torishtë.
Një gjë është e sigurtë: nuk do të ngulmonin Thaçi e Veseli të formohej specialja pa qenë të siguruar tashmë se nuk do të ndiqen vetë. Ata që na sollën të gjithëve buzë fatalitetit për të mbijetuar në luksin dhe pasurinë e pamasë që e kanë përvetësuar, kurrë në jetë nuk do të pranonin të krijonin diçka potencialisht fatale për ta personalisht. Prandaj, kur Mustafa, Thaçi e Veseli flasin për drejtësi nuk do shumë mend për të kuptuar që diçka nuk është në rregull ngase është pikërisht drejtësia që nuk iu konvenon atyre.

Në anën tjetër kemi Listën Srpska dhe Serbinë që po ashtu janë të dëshpëruara nga mosvotimi dhe po insistojnë që megjithatë gjykata të krijohet. Por, pse Serbia nuk po insiston që gjykata të krijohet nga OKB-ja?! Mos ndoshta Serbia po ia jep rastin Kosovës që të tregojë se është shtet demokratik dhe i gatshëm të përballet me të kaluarën e saj, ta pastrojë luftën e UÇK-së dhe çdo thashethëmë për të, dhe kështu po pret se mos Kosova po e krijon vetë specialen?! Ajo që nuk ka lënë gur pa lëvizur për të mohuar lirinë dhe pavarësinë tonë, nuk do ta priste fare shtetin që nuk e njeh dhe e synon, por do të bënte çdo gjë që është e mbunshme që gjykata të krijohej nga OKB. Së paku do ta dështonte qëllimisht, përmes Listës Serbe votimin e saj në Kuvendin e Kosovës. Aq më tepër nëse, siç po na thuhet, gjykata e krijuar nga OKB-ja do të ishte më e dëmshme për Kosovën. Cila është logjika që Serbia ta mbrojë një version të gjykatës i cili po i konvenoka Kosovës më shumë? Është e thjeshtë: krijimi i speciales nga OKB-ja është veç kërcënim i të cilin nuk e beson as vetë Serbia.

Gjykata Speciale e imponuar nga jashtë dhe politikanët e korruptuar brenda, nuk janë në konflikt ndërmjet vete. Përkundrazi, njëri është kushti për tjetrin. Burokratët ndërkombëtarë kanë nevojë për korrupsionin e vendorëve për ta legjitimuar ndërhyrjen e tyre, kurse vendorët sa më shumë korruptohen, më të sigurtë janë në pushtet, e po aq të kontrolluar bëhen nga ndërkombëtarët. Në kontradiktë më të dyja palët janë qytetarët e Kosovës. Ata janë të pallogariturit në këtë mes. Janë ata që duhet ta prishin këtë llogari.

(Autori është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here