Kush janë Ridvan Haqifi dhe Almir Daci, që kërcënuan shqiptarët nga ISIS?

0

Profil: Kush është kosovari i ISIS’it që po kërcënon shqiptarët dhe Ballkanin

RIDVAN HAQIFI

Ridvan Haqifi është emri i vërtetë i xhihadistit Abu Muqatil (Al Kosovi) i cili të enjten përmes një video mesazhi, bashkë me Abu Bilqis (Al Albani), paralajmëruan Ballkanin për luftë në emër të hakmarrjes “ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët” në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje, Serbi etj…
Ridvan Haqifi nga korriku i 2014-ës e zëvendësoi Lavdrim Muhaxherin si komandant i shqiptarëve në organizatën terroriste ISIS. Më parë ishte raportuar për lidhjet e tij familjare me drejtuesit e Bashkësisë Islame dhe për imamin Qazimi që pati ndikim në radikalizmin e tij, rrëfim që ishte bazuar nga drejtues të BIK-ut dhe një profesor i tij.

Ridvan Haqifi, 25 vjeçar nga Gjilani është lindur në fshatin Bukovik, më 4 korrik të vitit 1990, për rastësi në ‘Ditën e Amerikës’, një nga armiqtë e ISIS-it, organizatës terroriste që drejtohet nga Kalifi i vetë-shpallur, Ebu Beker El-Bagdadi (Kalif Ibrahimi).

Haqifi, bashkë me Lavdrim Muhaxherin nga Kaçaniku, ishin xhematë (pasues) të imamit kontrovers kosovar, Zekirja Qazimi, derisa Ridvani më vonë morri të drejtën edhe të ligjëronte në xhaminë që e drejton imam Qazimi, një përkrahës publik i xhihadit të ISIS-it.

Kur Al Kosovi morri komandat e shqiptarëve thuhet se Ridvan Haqifi kishte punuar herë pas here edhe punë të tjera për të mbajtur familjen, përfshirë këtu edhe punën e hamallit me karrocë dore në tregun e qytetit, pasi që pagesa prej imami të angazhuar vetëm për faljen e xhumasë ishte e vogël. Ndërsa shenjet e radikalizmit të tij, thuhet se kishin nisur që kur ishte nxënës i medresesë, pasi që në klasë diskutonte me idetë ekstreme të Zekirja Qazimit. Këto të dhëna për xhihadistin shqiptarë i kishte rrëfyer atëkohë një nga profesorët e tij, por që preferonte të mbetej anonim.

Rrugët për imam e më vonë edhe xhihadist, Haqifi, i njohur si Abu Muqatil (Al Kosovi) i nisi si nxënës i Medresesë “Alaud-din”, dega në Gjilan, shkollë publike kjo që financohet edhe nga Ministra Kosovare e Arsimit e menaxhohet nga BIK-u, por tu bërë tutje imam imam nën urdhrat e kësaj bashkësie fetare deri në vitin 2012, kur deklaroi rrejshëm që po shkonte për te studiuar në Egjipt.

Ridvan Haqifi, pasardhës i Lavdrim Muhaxherit në komandat e shqiptarëve në ISIS, në vitin 2012, i kishte thënë familjes e BIK-ut se po e lëshonte punën për studime fetare në Egjipt. Atë kohë ishte imam në xhaminë e fshatit Capar, një fshat afër fshatit tij të lindjes-Bukovikut. Por rrugëtimi i tij përfundoj në Siri, përkrahë ISIS dhe bashkëkombësit të tij që tmerroj njerëzimin duke publikuar video të heqjes së kokave të atyre që nuk i bindeshin ideologjisë së ISIS-it, për ti marrë dikur edhe komandimin e shqiptarëve tjerë që ndodhen atje.

Abu Muqatil (Al Kosovi) rishfaqet pas një viti nëpërmjet një videomesazhi, bashkë me Abu Bilqis (Al Albani), dhe duke folur në gjuhën shqipe kërcënojnë Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Maqedoninë, etj., për luftë dhe hakmarrje ndaj atyre që siç thonë ata, armiqve të Allahut që po i poshtërojnë myslimanët në këto vende.

“I dërgoj mesazh taghutave (*taghut – ata që i adhurojnë idhujt, por jo Allahun) të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe gjithë Ballkanit: mos mendoni se ne e kemi harruar për zullumin të cilin ju ja bani myslimanëve… Mos mendoni se ne e kemi harruar për armiqësimin që ia keni bërë dinit të Allahut… Mos mendoni se ne e kemi harruar për nënçmimin dhe përuljen që ju ja bëni myslimanëve dhe fesë së Allahut… Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve…”, thuhet ndër tjera në mesazhin e Abu Muqatil, të publikuar të enjten mbrëma.

Identifikohet ushtari tjetër i ISIS'it që kërcënoi shqiptarët (Video)

ALMIR DACI

Ndërkaq, ushtari i ISIS, që kërcënoi Shqipërinë për vendosje eksplozivësh dhe terror, është Almir Daci nga fshati Leshnicë i Pogradecit. Më parë ishte imam i xhamisë së Leshnicës.

Daci është një emër i njohur në raportet e Shërbimit Inteligjent Shqiptar, dhe po ashtu, edhe nga Drejtoria e Antiterrorit, pasi njihet si person që më parë rekrutonte të rinj për të luftuar në rradhët e ISIS.

Një prej tyre, i marrë me vete nga vetë Daci, u vra një vit më parë gjatë luftimeve. Denis Hamzaj, një ushtar tjetër nga Leshnica, i rekrutuar nga vetë imami Daci u dërgua në frontin e luftës, ku dhe u vra.

Në dyshimet e SHISH dhe Policisë së Antiterrorit, është fakt se vetë Daci ka marrë nga zonat përreth xhamisë, ku kryente funksionin e imamit, edhe të rinj të tjerë.

Policia ka marrë menjëherë në vëzhgim banesën e tij në Leshnicë, ndërkohë që pavarësisht se është një kërcënim i bërë në rrjete sociale, ai është marrë më tepër se seriozisht nga strukturat përkatese.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka urdhëruar të gjithë që marrin masat dhe të kërkojnë nga vendet fqinje informacion për lëvizje të mundshme të dyshuarish nga ISIS drejt Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Daci është një person i shpallur prej kohësh në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm dhe do ta kishte më tepër së të vështirë lëvizjen e tij.

Me urgjencë është kërkuar infomacion edhe për kërcënuesin tjetër, atë nga Kosova. Sipas policisë, të gjitha strukturat Antiterror janë në dispozicion për t’u marrë seriozisht me kërcënimin e imamit të Leshnicës, shkruan topchannel.

Këto të dhëna janë publikuar nga gazeta Express dhe nga televizioni Top Chanell.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here