Kush janë dy të akuzuarit për terrorizëm?

0

Arben Livoreka nga Kaçaniku dhe Nexhat Behluli kosovari me nënshtetësi franceze, janë dy personat ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë. Ata dyshohet se gati tre vite më parë iu ishin bashkuar organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli mund të mos njihen me njeri – tjetrin, por pjesëmarrja në organizatën terroriste “Al Nusra” në Siri, i ka bashkuar ata në të njëjtën aktakuzë që u ka ngritur sot Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale- organizim ose pjesëmarrje në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arben Livoreka nga fshati Ivajë i Kaçanikut dyshohet se ka qenë pjesë e këtij grupi për gati një vit, në periudhën kohore nëntor 2013 deri në gusht të 2014’ës, raporton Gazeta Express.

Ndërkaq, Nexhat Behluli është arrestuar në fillim të këtij muaji nga Policia e Kosovës, në Aeroportin e Prishtinës, pasi ishte kapur dhe ekstraduar me aeroplan special nga autoritetet franceze që edhe kishin lëshuar urdhërarrestin ndërkombëtar ndaj tij për pjesëmarrje në luftën në Siri.

30 vjeçari dyshohet se në vitin 2013 kishte qëndruar atje për rreth një muaj, mirëpo për shkak të konflikteve që kanë pasur grupi terrorist Al Nusra me organizatën tjetër terrorist ISIS, ai është kthyer në Kosovë.

Për aktakuzën ndaj tyre ka njoftuar Prokuroria e Shtetit e cila ka treguar vetëm inicialet e tyre.

Aktakuza tashmë është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht në Departamentin për Krime të Rënda.

Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here