Kurti: “Kemi nevojë për një Republikë të tretë…”

0

I ftuari i radhës në kuadër të Forumit “FOL hapur” të Lëvizjes FOL ka qenë Albin Kurti, deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL ka tërhequr vëmendjen se gjatë këtij diskutimi me të ftuarin do të bisedohet mbi modelin e zhvillimit ekonomik të vendit, në lidhje me atë se çfarë dialogu i duhet Kosovës si dhe çfarë sipas Kurtit përmban ideja e Republikës së Tretë, të cilën ka një kohë që e ka përfshirë në diskursin publik. Albin Kurti ka theksuar se varfëria dhe papunësia nuk janë pasojë e historisë së pasur të popullit, e pasurive të varfra të vendit apo e kulturës së papërshtatshme të shoqërisë, por vetëm dhe vetëm e orientimit dhe modelit të gabuar ekonomik. “Pra, varfëria dhe papunësia në Kosovë nuk mund të shpjegohen me okupimin e gjatë që e kishim, me burimet e naftës që nuk i kemi apo me dembelinë që njerëzit e kanë, por, me instalimin e neoliberalizmit si doktrinë që e reduktoi tranzicionin në privatizim, zhvillimin në infrastrukturë dhe infrastrukturën në asfalt”, deklaroi ai, duke shtuar se sektori privat duhet ndihmuar nga shteti që të përparojë dhe ai duhet inkurajuar që të prodhojë në sektorin bujqësor, zejtar, industrial. Sa i përket dialogut me Serbinë Kurti ka thënë se ne kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës për zhvillim të përgjithshëm me barazi për secilin, dialog që është i hapur e demokratik e jo i mbyllur e diplomatik sikurse ai në Bruksel me Serbinë. “Dialogu aktual është dialog prej lartë me marrëveshje që do të dështoj këtu poshtë̈. Ne kemi nevojë për dialog e marrëveshje prej poshtë̈. Ne mund të flasim me serbët e Kosovës edhe për shtetin e Serbisë̈, mirëpo ne nuk duhet të flasim me shtetin e Serbisë̈ për serbët e Kosovës”, ka thënë ai. Ndërkaq, sa i përket Republikës së tretë, Kurti ka thënë se “ne kemi nevojë për një̈ Republikë të Tretë, për Republikë të zhvillimit, për Republikë që bëhet më parë sesa që shpallet. 15 vjet populli i Kosovës i provoi qeveritë̈ e djathta dhe tash po detyrohet të ik nga vendi ose të protestojë kundër qeverisë Duhet provuar social-demokracia, duhet provuar një qeveri e majtë”. Kurti ka folur edhe për Gjykatën Speciale ku ka theksuar se një gjykatë më shumë nuk do të thotë më shumë drejtësi në Kosovë, dhe se sipas tij, nuk është e mundur që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të krijojë Gjykatën Speciale pasi që fillimisht do të duhej të merrej me UNMIK-un. Shtetin e kapur të Kosovës, sipas Kurtit e vërejmë më së shumti në veprimet ose mosveprimet e Prokurorisë dhe Gjykatave në Kosovë, me shkeljet më të mëdha të Kushtetutës që është duke i bërë Qeveria e Kosovës. Albin Kurti ka thënë se Lista Serbe ka krijuar një lloj të vetos për vendimet që duhen të merren në Kosovë dhe se integrimi i saj në Qeverinë e Kosovës është integrim i Serbisë në shtetin e Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here