Kurti dhe Vetvendosja kërkojnë ndëshkimin e krimeve të kryera më 10 shkurt 2007

0

PRISHTINË, 10 SHKURT – Në tetë vejtorin e vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit, lideri i Lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti ka thënë sot se ata nuk ishin qytetarë që kishin rastisur të jenë në atë protestë. “Mon Balaj ishte aktivist i palodhshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nuk ka fletushkë, nuk ka poster që i ka tepruar e nuk e ka vendosur nëpër muret e ndërtesave në Llap”, ka përshkruar ai. “Sa herë që Arben Xheladini ka kaluar në rrugën ‘Perandori Justinian’, është ndalur në zyrën tonë. Nuk ka protestë pas luftës, qoftë e veteranëve, e nënave të të pagjeturve, e qytetarëve për të burgosurit që mbaheshin në Serbi, çdo protestë kombëtare, shoqërore, për drejtësi, për liri, për barazi, në të cilën Arben Xheladini nuk ka marrë pjesë. Pjesëmarrja e Arben Xheladinit nëpër demonstrata ka qenë edhe para se të themelohet Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shtuar Kurti. Ai ka njoftuar gjatë një ceremonie të përkujtimit se sot, Amnesty International ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës dënon krimin e Policisë së UNMIK-ut të para tetë vjetëve, “dhe njëkohësisht dënon përdorimin e plumbave të gomës edhe atëherë por edhe në protestën tonë të fundit të 27 janarit”. Kurti pasi e ka përshkruar demonstratën e para tetë vjetësh ka kujtuar se përveq vrasjes së Balajt dhe Xheladinit atë ditë ishin plagosur edhe 80 demonstruesë, disa nga të cilët i ka përmendur me emra për pasojat e rënda që kishin bartur. Kurti ka kujtuar se kanë qenë decentalizimi mbi baza etnike, e drejta e vetos e përfaqsuesëve serb në Kuvendin e Kosovës, shuraja e TMK-së, definimi i trashëgimisë kulturore vetëm si ortodokse serbe, betonomi i protektoratit ndërkombëtar dhe futja e Kosovës në borgjin e jashtëm të Serbisë pa qenë pjesmëarrëse e ndarjes së pasurisë së ish Jugosllavisë, ato që e kishin nxitur Vetvendosjen të organizojë atë protestë për të kundërshtuar Pakon e Ahtisarit. Në 8 vjetorin e kësaj demonstrate Kurti ka kërkuar drejtësi për të ndëshkuar krimet që u bënë atë ditë dhe ka thënë se as sot në Kosovë nuk janë punët më mirë në aspektin politik. “Pikërisht me rastin e tetë vjetorit të 10 Shkurtit, kemi një marrëveshje të re që bëhet në Bruksel se si të ndahet gjyqësia e Kosovës nga Mustafa dhe Vuçiqi, midis serbëve dhe shqiptarëve, gjithnjë me një kryetar serb aty”, ka përshkruar ai. Sot, në 8 vjetorin e demonstratës së 10 shkurtit, Lëvizja Vetvendosje ka bërë homazhe te varret e Mon Balajt në Besianë dhe të Arben Xheladinit në Prishtinë, ku kanë bërë nderime me nga një minutë heshtje, dhe kanë vendosur kurora me lule. Homazhe janë bërë edhe te Pllaka Përkujtimore e dy të rënëve, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here