Kurteshi propozon ndryshim të një neni të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Komisioni pajtohet, anëtarët e Gjykatës askund

0

Në mbledhjen e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, është diskutuar lidhur me nismën e Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në mbledhje nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo nga kryetarja e e komisionit Albulena Haxhiu është vlerësuar si papërgjegjësi e përfaqësuesve të Gjykatës Kushtetuese përballë Kuvendit. Haxhiu e ka shpalosur rekomandimin e Avokatit të Popullit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe ka thënë se këto rekomandime kanë bazë ligjore për nismë legjislative. Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i pranishëm në këtë takim i ka shpalosur në detaje rekomandimet “Qëllimi i raportit është ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht neni 30 i këtij ligji që parasheh afatin për ngritjen e rasteve të palëve të autorizuara, të përcaktuara në nenin 113, pika 2 të Kushtetutës, lidhur me përputhshmërinë e ligjeve, dekreteve të Presidentit dhe të Kryeministrit, rregulloreve të Qeverisë dhe statusit të komunave, me Kushtetutën , 6 muaj e hyrjes në fuqi e aktit të kontestuar dhe akti i kontestuar nuk kufizohet në ligj, por në çdo akt tjetër që nxirret”, ka thënë Kurteshi, sipas të cilit “ky kufizim prej 6 muaj i aktit të kontestuar është jo proporcional dhe është në kundërshtim me përvojat e vendeve të rajonit dhe atyre evropiane”. Kurteshi e ka vlerësuar si të domosdoshme fillimin e procedurave për ndryshimin e këtij ligji, duke konsideruar që të hiqet tërësisht kufizimi për Avokatin e Popullit me nxjerrjen e akteve nënligjore dhe administrative. “Kosova nuk mund ta ketë një ligj që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën. Kemi gjetur shumë fakte dhe dëshmi se kjo është e gabuar. Avokati i Popullit dhe akterët tjerë nuk mund ta referojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për arsye se paska një kufizim 6 mujor procedural”, ka thënë Kurteshi, duke paraqitur riformulimin e këtij neni. Anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit për këtë çështje kanë shprehur gatishmërinë e tyre për nismën e Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ata janë dakorduar që të përpilojnë një raport dhe në njërën nga mbledhjet e komisionit të fillojnë me procedurat për ndryshimin e këtij ligji.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here