Kur “Santa Claus-i” je ti!

0

BRUNHILDA GOROVELLI

Çdo ndërrim vitesh të gjithë bëjnë bilancin e vitit që mbyllin. Edhe këtë vit do të bëjmë llogarit e 2015…

Për disa ndoshta ka qenë më i suksesshmi, për disa më i keqi… Për mua nuk ka qenë as më i suksesshmi e as më i keqi. Në fakt 2015 mund ta konsideroj si një vit të rëndësishëm në jetën time, e në veçanti muajin dhjetor. Pikërisht në muajin që unë kam ardhur në këtë jetë, zgjodha të jem Santa Claus-i i vetes sime. Fëmijë,  ti mund të “gënjehesh e lumtur” se poshtë pemës së  Vitit të Ri gjendet zgjidhja e dëshirave të tua , por jo kur  kur kalojn ca vite…

Ne, njerëzit kërkojmë brenda në thellësinë  e qenies sonë me patjetër një cep për të fshehur të vërtetën. Atë të vërtetë që nuk na pëlqen ta dëgjojmë edhe kur vetë ia themi vetes. Për asgjë në botë nuk duhet t’i shmangemi asaj.  Realiteti është tinëzar, të shtyp. Ti, në vend që të strehohesh në copëzat e thella të qenies tënde duhet të guxosh të provosh, ashtu sikurse guxon të jetosh një ditë të re. Ndaj ka nga ata që ankohen e presin që Zoti t’iu bëj mrekulli në jetën e tyre. Unë nuk e pres këtë gjë… Unë dua të kem vullnetin dhe dëshirën e mirë për t’i përqafuar ndryshimet, gjërat e reja, të papriturat në jetë. Për rrjedhën e jetës nuk ka rëndësi se si mund ta përjetosh një ditë të re, pasi ajo të merr në rrugën e saj edhe pa dëshirë.

Edhe pse 2015 nuk ishte viti i përsosur për mua, nuk mundem t’ia heq meritat e tij të dhurimit të kujtimeve.  Pikërisht këtu doja të ndalesha. Kujtimet janë pasuria e vetme që na lenë pas vitet, saqë mund të konsiderohen të shenjta. Mund të humbasësh gjithçka, shtëpinë, makinën, paratë, por jo kujtimet.  Ato janë të rëndësishme për ty, jo për jetën. Ato të mbajnë gjallë edhe pas vdekjes.  E tillë ka mbetur tek unë 2014 apo 2015, e tillë duhet të jetë edhe 2016. Në këtë kapitull të bardhë gjithësecili do të shkruaj diçka nga vetja, e kjo ka rëndësinë e vet. Për atë që do të shkruash do të mbahesh mend. “Çfarë ke mbjell do të korrësh” është një shprehje me vend në këtë rast.

Djem  dhe vajza mjaft bët sikur nuk e kuptoni që nuk ka Babagjysh të Vitit të Ri. Edhe Zoti që na do fort na ka dhënë fuqinë për të përballuar sfidat në jetë. Mos iu trembni, ato të rrisin! Nuk ka rëndësi nëse rrëzohesh apo dështon me sfidat që ndërrmerr. Në fakt je i dështuar pa e nisur ecur fare. Çdo sfidë që ndërmerr të përcjell një mesazh dhe sigurisht të drejton për diku, pra ia vlen të përballesh me të. Është sukses edhe kur e ke pranuar sfidën, është sukses kur i dhuron vetes dhe të tjerëve lumturi. Për mua fletët e këtij viti që vjen duhet të jenë patjetër shumëngjyrësh. Duhet ta them hapur, ka kohë që nuk pres dhuratat poshtë pemës(në fakt çdo vit e kam marë, po nuk e kam parë si Santa Claus).

Kuptova që Babagjyshi është brenda meje, dhe duke qenë brenda meje kuptova që zgjidhja jam unë. Jam unë që vendos nëse kujtimet e një viti do të këtë ngjyra, sukses dhe dashuri. Ti duhet të kujdesesh që të lësh gjurmë teksa ecën, nëse e ke bërë atëherë mos e vrit mendjen një ditë do të kujtohesh për ato gjurmë.

Një vit është sa i gjatë edhe i shkurtër, ndaj duhet të kapim ritmin dhe të ecim përkrah tij. Duhen vetëm disa orë për të nisur kapitull 365 faqesh të ri. Mos harroni “Santa Claus-i” je Ti!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here