Kur gazetari serb e provokoi Kouchnerin dhe ai ia ktheu: “ti qenke budallë”

0

Bernard Kouchner në Graçanicë u përball me pyetje provokative nga një gazetar serb. Kouchner u pyet për rolin e tij në tregtinë me organe të serbëve të zhdukur në Kosovë: “Ju qenkeni i sëmurë. Ju jeni budalla, mos flisni marrëzira!”- është kundërpërgjigjur Kouchner.
Shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kouchner, ka reaguar në mënyrë të pazakontë ndaj pyetjeve provokative të një gazetari serb lidhur me të ashtuquajturën Shtëpi e verdhë dhe akuzat për tregti me organe të serbëve të zhdukur në Kosovë.
Kouchner u përball me pyetjet e gazetarit të Zërit të Amerikës, Budimir Nicic, pas vizitës në Shtëpinë e shëndetit në Graçanicë, të martën, ku është takuar me drejtoreshën Rada Trajkovic.
Pas pyetjes se a ka marrë pjesë në tregtinë me organe në rastin Shtëpia e verdhë, Ministri Francez ia plasi një të qeshure të madhe dhe pastaj i tha gazetarit Nicic: A mos je i sëmurë? Çka është kjo Shtëpi e verdhë?.”
Kouchner ka qenë Shef i UNMIKut menjëherë pas luftës në Kosovë, periudhë për të cilën Beogradi zyrtar akuzon se janë zhdukur dhjetëra serbë të Kosovës.
“Mos besoni në krejt atë që thuhet. A do të thotë se unë dhe Rada (Trajkovic) kemi marrë kufomat për tua vjedhur organet?”, ka shtuar Kouchner. “Ju qenkeni i sëmurë. Ju jeni budalla, mos flisni marrëzira” citohet ti ketë thënë Kouchner gazetarit serb, nga Radio KIM.
Ndërkaq, i pyetur se cili është qëndrimi i tij për të ashtuquajturën Shtëpi e verdhë në Shqipëri, është kundërpërgjigjur: “Çka është kjo Shtëpi e verdhë? Duhet të shkoni (te mjeku) për tu kontrolluar. Ata të cilët thonë kështu janë idiotë dhe vrasës” – është shprehur Kryediplomati francez, duke drejtuar gishtin kah Shtëpia e shëndetit në Graçanicë.
Mediat serbe i kanë cilësuar si incident dhe fyerje përgjigjet e Kouchnerit në Graçanicë, ndërsa ka reaguar edhe Shoqata e gazetarëve të Serbisë. Ndryshe, Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, sërish ka ftuar Beogradin dhe Prishtinën që të nisin procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore. Që një vend të hyjë në Evropë, duhet ta ketë edhe pëlqimin e 27 vendeve anëtare. Kështu që Kosova dhe Serbia së pari e kanë të domosdoshme të dialogojnë, tha ai. Ky dialog, sipas Kouchnerit, nuk ka kushtëzime.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here