Kur do të hiqet “Parku i Paqes” sipas Agim Bahtirit?

0

Javën që po hyjmë do të ketë bisedime për ndërtimin e shtëpive në lagjen ‘Kroi i Vitakut’ në Mitrovicë, ndërsa heqja e të ashtuquajturit ‘Parku i Paqes’ është çështje javës.

Kështu deklaron kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në një intervistë për KosovaPress thotë se zërat e fundit për kalimin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë vetëm shaka dhe të pavërteta.

E quan ‘Park të turpit’ barrikadën mbi urën e lumit Ibër, ndërsa thotë se Behgjet Pacollin e ka mik të mirë dhe se për të është kthyer në Kosovë.

Shpejgon se si bëri shaka kinse po braktis AKR’në.

“Absolutisht janë të pavërteta. Ka qenë një shaka që është bërë në Turqi, isha me Bajram Mulakun dhe disa njerëz tjerë nga Vushtrria, pastaj doli në portale se kam kaluar në PDK, pastaj ishin disa kryetarë të LDK-së të cilët dëshironin të më shohin si anëtar të saj, dhe ishte një portal që më kontaktoi dhe të cilit i thash se jam në biseda në mes të PDK-së dhe LDK-së dhe asgjë tjetër”, ka thënë në shaka Bahtiri.

Sipas tij, ai nuk e ka menduar asnjëherë kalimin në ndonjë parti tjetër, sepse i përmbahet vetëm një kodi, të cilin e quajti Behgjet Pacolli.

“Behgjetin e kam shumë shok, e kam mik të mirë dhe për Behgjetin kam ardhur, dhe normal se Behgjeti është gjithçka për Agim Bahtirin”, tha kryetari i Mitrovicës.

Ai ka përsëritur se ‘Parku i paqes’ do të hiqet, duke potencuar se e ka thënë atëherë, vazhdon ta thotë, dhe do ta thotë gjithmonë, se parku do të hiqet shumë shpejtë.

“Kanë qenë disa lojëra që janë luajtur, megjithatë tani është krijuar një realitet tjetër, ku nuk ka tensione, sepse tensionet nuk i duhen jugut as veriut, dhe as Kosovës e Serbisë. Ne kemi krijuar një ambient të tillë dhe tani ka ardhur koha që ai park i turpit të hiqet dhe të kthehet gjendja normale për të gjithë qytetarët”, theksoi Bahtiri.

Në lidhje me rindërtimin e shtëpive, Bahtiri shtoi se pas largimit të ministrit Jabllanoviq, një pjesë e institucioneve ka munguar dhe nuk është parë e arsyeshme që të merret një vendim për vazhdimin e punimeve në atë pjesë të qytetit derisa të kompletohen institucionet.

“Tani ka ardhur koha që ata të kthehen, ndërsa ne kemi kontaktuar me kryeministrin, dhe gjatë javës së ardhme do të ulemi të bisedojmë edhe për shtëpitë, por edhe për urën”, ka thënë në fund Bahtiri.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here