Kuqezi janë dilemat e rreme

0

Artikulli i Gresa Hasës, të cilin pas blogut tonë e botuan edhe shumë media të tjera, online dhe të shkruara, ngjalli shumë reagime, nga të cilat ato në rrjetet sociale ishin në pjesën më të madhe të cekëta ose thjesht të pahijshme.

Kam shumë vjet që në mënyra të ndryshme i ndjek këto tema kur debatohen dhe më duhet të them, i hidhëruar, se niveli i debatit nuk ka rënë ndonjëherë më poshtë se kaq.

Ndoshta kjo vjen ngaqë mendjet më kompetente janë lodhur dhe nuk duan të merren më me një temë që u kushton shumë edhe ngaqë pastaj i sulmojnë ad hominem; ndoshta vjen ngaqë rrjetet sociale e kanë zgjeruar shumë sferën e atyre që bien në kontakt me shkrime të tilla; ndoshta vjen edhe ngaqë prurjeve të reja në komunitetet virtuale shqip u mungon fibra qytetare.

Por edhe po t’i lëmë mënjanë shfryrjet emotive dhe frustrimet e disa axhaminjve ose moskuptimet e keqkuptimet e të tjerëve, përsëri mbetet çështja e radikalizimit të debatit publik, e cila nuk mund t’i faturohet vetëm padijes.

Dhe ky radikalizim lidhet, në rastin tonë, me themelimin dhe pastaj riprodhimin sistematik të një dileme të rrejshme: asaj midis të qenit kuqezi dhe kozmopolitizmit; në kuptimin që kush thotë se “nuk jam kuqezi”, është duke e paraqitur veten si kozmopolit, ose duke e bërë hasha kombin e vet.

Është e vështirë të thuash se ç’kanë parasysh këta kritikë me kozmopolit; sipas “Fjalorit të Shqipes së Sotme”, kozmopolit në shqipe është personi që “e quan gjithë botën për atdhe”; por termi është përdorur, prej kohësh, nga e djathta fashiste dhe fashistoide por edhe nga e majta nacional-komuniste, si eufemizëm për hebreun, veçanërisht hebreun sionist (në Bashkimin Sovjetik kjo praktikë nisi me Stalinin por vazhdoi deri vonë me Brezhnjevin).

Përshtypja ime është se, në ligjërimin e sotëm publicistik shqip, kozmopolit po priret tani të shënjojë “atë që nuk e do atdheun,” duke e shtyrë me zor debatin drejt sallës së gjyqit popullor, ose vendit ku historikisht u është treguar vendi tradhtarëve.

Por ky është një problem i dytë – edhe pse jo pa lidhje me të parin, atë të radikalizimit.

Natyrisht, të thuash a të nënkuptosh se kush nuk është “kuqezi” është “kozmopolit” do të thotë jo vetëm të ndash arbitrarisht më dysh një spektër psikologjish dhe qëndrimesh të shumëllojshme dhe të shumëngjyrshme; por edhe të lejosh që tonin debatit identitar t’ia japin dukuri anësore dhe sipërfaqësore të kulturës pop, të tilla si një këngë ose video me simbolikë të theksuar kitsch ose koreografitë naive dhe herë-herë dhuna e stilizuar dhe e ritualizuar e tifozerive futbollistike.

Kuqezi janë ngjyrat e flamurit shqiptar, të cilat simbolizojnë identitetin kombëtar; por e bëjnë këtë në mënyrë të pavarur nga ekzibicioni pop, kitsch-i kombëtarist dhe aq më tepër tifozeritë.

Përkundrazi, ekzibicioni pop, nacionalizmi kitsch dhe tifozeria futbollistike po duan ta uzurpojnë simbolikën kombëtare, kushedi edhe të nxitur ose të manipuluar nga forca ose lëvizje politike të caktuara; dhe ta uzurpojnë duke i privuar të tjerët nga e drejta për ta ushtruar dhe përjetuar identitetin e tyre kombëtar ashtu siç e shohin të udhës ose në pajtim me etikën e tyre personale.

Çështja është se këngë si ajo për të cilën foli G. Hasa, turmat e tifozëve që përftohen rreth ndeshjeve të kombëtares në FB dhe gjetiu; dhe droni nga ku varej një mash-up imazhesh kombëtariste mbi një stadium futbolli janë dukuri që jo vetëm nuk i merr dot si përfaqësimtare të asaj çfarë është kombëtare në psikologjinë kolektive të shqiptarëve sot; por edhe të tilla që ta lënë një pjesë e madhe e qytetarëve të neveritur – jo për shkak të simbolikës kombëtare, por për shkak të abuzimit që i bëhet kësaj simbolike.

Në qoftë se kultura jonë dhe opinioni publik e lejojnë “të qenit kuqezi” të kapet peng nga turbo-tifozeritë dhe pasionet e turmave të frustruara, atëherë pikërisht te ky pranim konsumohet edhe një atentat kundër identitetit kombëtar të shqiptarit.

Prandaj edhe të distancohesh nga kjo mënyrë e ekzibicionit kombëtarist është, para së gjithash, gjest patriotik; madje detyrë patriotike e kujtdo që beson se uzurpimi i simbolikës kombëtare për qëllime ekzibicionizmi nuk i shërben as kombit, as vetëdijes shqip.

E kam thënë dhe do ta përsërit, se për mua patriotizmi sot nuk mund të jetë asgjë më tepër se gatishmëri për shërbim publik; dhe se nuk ka gjë të përbashkët midis karnevalizimit të identitetit kombëtar – siç ndodh në video të muzikës pop ose në koreografitë e stadiumeve – dhe realizimit ose mishërimit të këtij identiteti në veprimtarinë publike të gjithkujt.

Prandaj edhe besoj se, në momentin e tanishëm, denoncimi haptazi dhe pa ekuivoke i turbo-nacionalizmit ose i uzurpimit të identitetit kombëtar nga shtresa të margjinalizuara (përfshi edhe diasporën) dhe ideologji ekstreme (në thelb fashiste) në hapësirën shqiptare është, para së gjithash, jo vetëm gjest por edhe detyrë qytetare e kujt përnjëmend dëshiron dhe është i gatshëm t’i shërbejë atdheut të vet.

Madje, në një kuptim, përdhosja e simboleve kombëtare nga të gjitha format turbo të manipulimit të masave do t’u shërbente, si justifikim në mos etik së paku estetik, të gjithë atyre snobëve që e konsiderojnë identitetin e tyre kombëtar si poshtërim, si pengesë ose si diçka për t’u konsumuar privatisht; duke u dhënë një alibi për t’u distancuar prej të qenit shqiptar. Prandaj edhe kulturës sot nuk i lejohet të rrijë indiferente përballë këtij degradimi të patriotizmit në kombëtarizëm kitsch; dhe as ta lejojë zëvendësimin e përkushtimit publik me llafologji atdhetare dhe porn-folk.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here