Kuçi: “Ende nuk ka marrëveshje me Holandën për Gjykatën Speciale”

0

PRISHTINË, 18 SHKURT – Ministri i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke raportuar para Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, ka thënë sot se selia e Gjykatës Speciale mund të jetë në Holandë, por sipas tij “akoma nuk ka ndonjë marrëveshje të arritur me këtë shtet”. Ai i ka njoftuar anëtarët e Komisionit se gjithë procesi i themelimit të kësaj gjykate menaxhohet nga presidentja e vendit, e cila sipas tij, ka themeluar dy grupe: grupin politik dhe atë teknik. Kuçi e ka quajtur procesin e themelimit të gjykatës “të rëndë dhe të ndjeshëm që ka ardhur si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve”. Ai ka sqaruar se është kërkuar që Dhoma e Specializuar të jetë në Kosovë, sikurse edhe mbajtja dhe vuajtja e dënimeve të realizohet në vend. Megjithatë, ai ka vënë në pah faktin se “krejtësisht në fund kjo çështje do të kalojë përmes Kuvendit dhe këtij komisioni”. “Ne kemi qenë të kujdesshëm që të mos ndërmarrim asnjë veprim që do të cenojë vënien në vend të drejtësisë dhe të pengojë funksionimin e dhomave të specializuara. Kemi qenë të kujdesshëm që të mos e dëmtojmë sovranitetin e vendit tonë dhe do të ruajmë maksimalisht juridiksionin e Kosovës mbi dhomat e specializuara, që nënkupton në parim që selinë kjo gjykatë ta ketë në Kosovë”, është shprehur Kuçi. “Natyrisht, me mundësinë që të zhvillohen shumica e procedurave në vendin tonë”, ka thënë Kuçi, duke shtuar se do të përpiqen që të ruajnë imazhin e Kosovës. Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetvendosje ka paraqitur një varg shqetësimesh lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, përmes të cilave ka shfaqur druatjen se mund të njolloset lufta e UÇK-së dhe të cenohet pavarësia e vendit. Anëtari i Komisionit, Armend Zemaj nga LDK-ja, ka thënë se askush nuk duhet t’i frikësohet drejtësisë dhe se ky proces duhet të përkrahet. “Do të angazhohemi dhe do ta japim maksimumin në këtë proces. Nuk kemi nevojë të paragjykojmë dhe të parandalojmë një marrëveshje, e cila edhe ashtu kërkohet nga Këshilli i Evropës dhe miqtë ndërkombëtarë”, ka theksuar Zemaj, duke shtuar se në këtë proces Kosova nuk do të ketë barrë buxhetore. Edhe zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni Selvije Halimi nga PDK, ka thënë se ky proces nuk duhet ta frikësojë askënd dhe se ky proces nuk do ta njollosë askënd, “por do ta largojë hijen që është vënë mbi grupe dhe individë të ndryshëm”. Halimi ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë, në cilësinë e udhëheqësit të grupit të ekspertëve, që të jetë në koordinim shumë më të përgjegjshëm me grupin politik të mandatuar nga presidentja. Ajo ka kërkuar nga ministri Kuçi që lidhur me këtë çështje të raportojë edhe në Kuvend.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here