“Kshnellat” në Cyrih dhe thirrja e priftit për ruajtjen e rrënjëve shqiptare

0

Festa e Krishtlindjes apo e «Kshnellave» siç njihet ndër besimtarët katolikë shqiptarë, mbetet festa me rrezatimin më të madh familjar ndër festat e krishterimit. Prandaj edhe në meshën e mbajtur nga Misioni Katolik Shqiptar në Kishën e «Kryqit të Shenjtë» (Heilig Kreuz) në Cyrih, kishin ardhur i madh e i vogël, familje të tëra për të nderuar lindjen e Jezu Krishtit.

albinfo.ch ka qenë e pranishme në mesin e besimtarëve dhe ka ndjekur ceremoninë e festës.

Kreu i Misionit Katolik Shqiptar për pjesën lindore të Zvicrës, me seli në Sirnach, Don Albert Demaj në kuadrin e ritualit të meshës ka kujtuar porosinë që i jep njerëzimit lindja e Krishtit dhe ka bërë thirrje për paqe në mes të njerëzve.

Ndërsa duke u lidhur në karakterin familjar të festës, ai ligjëratën e tij e ka drejtuar më shumë nga familja dhe nga ruajtja e rrënjëve shqiptare përmes forcimit të familjes, edhe në mërgim.

«Duhet t`u flisni fëmijëve shqip dhe t`i çoni në pushime në Kosovë. Sepse në vendet ku po i çojnë disa nga ju, ata do të shkojnë edhe vetë në të ardhmen, edhe pa ju. Ndërsa po qe se ata nuk mësohen tash që të vizitojnë Kosovën, dikur nuk do ta vizitojnë fare dhe do ta harrojnë», ka porositur Don Alberti besimtarët.

Më tutje ai u ka kujtuar atyre se duhet t`i respektojmë të gjithë por «ne rrënjët i kemi shqiptare dhe duhet të jemi krenarë që jemi shqiptarë. Ne mund të kemi shtetësi zvicerane, gjermane e çfarëdo tjetër, por mbetemi shqiptarë”. Pastaj kreu i kishës së shqiptarëve të Zvicrës Lindore ka shtuar se «duhet dyfish të jemi krenarë për faktin se jemi edhe katolikë shqiptarë, sepse përmes krishterimit, shqiptarët e dëshmojnë autoktoninë e tyre në vendet ku jetojnë».

«Ne kremtojmë lindjen e Krishtit, ardhjen e tij në botë me çka fillon një civilizim i ri, civilizim i dashurisë, kur Zoti bëhet njeri. Qëllimi është që ne si njerëz ta pranojmë thirrjen e Krishtit dhe ta rrisim besimin në Krishtin në zemrat tona», ka thënë don Alberti duke folur për rëndësinë e festës së Krishtlindjes.

Ai u ka kujtuar besimtarëve edhe lajmin e gëzuar për vendimin që ka marrë Papa Françesku ditë më parë për shenjtërimin e Nënë Terezës. «Me flijimin dhe me përcaktimin për të ndihmuar më të varfrit, Nënë Tereza përveç devocionit fetar ka pasqyruar edhe shpirtin sakrifkues të nënës shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Prandaj ne shqiptarët kemi të drejtë të ndjehemi krenarë që i kemi dhënë botës një personalitet si Nënë Tereza», ka thënë veç tjerash prifti shqiptar.

Në meshën e mbajtur në Cyrih, pas atyre të mbajtura në Frauenfeld, në Wil dhe në Uznach, është prezantuar edhe kori i kishës, i përbërë nga të rinj dhe fëmjë shqiptarë, i drejtuar nga motra e nderit Valdete Daka. Ndërsa përcjelljen e këngëve korale me orgë e ka bërë motra Klementina. Disa nga fëmijët kanë recituar edhe poezi kushtuar Lindjes së Krishtit dhe temave tjera lidhur me Krishtlindjen.

Besimtarët ndihmojnë nevojtarët në Kosovë

Don Alberti i ka informuar besimtarët edhe lidhur me zhvillimet që kanë ndodhur brenda misionit që drejton ai gjatë vitit që po lëmë pas. Me këtë rast ka përmendur me shifra numrin e lindjeve, krezmimeve, kungimeve pastaj të lidhjes së kurorave dhe së fundi edhe të të vdekurve nga ky komunitet. Ndërkaq ai edhe u ka «raportuar» atyre për ndihmat e grumbulluara gjatë 2015-tës nga komuniteti katolik shqiptar i Zvicrës lindore për Katedralen e Prishtinës si dhe për familjet në nevojë etj.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here