Kryetari i Parteshit Nikoliq lirohet nga akuza për keqpërdorim besimi

0

Kryetari i Komunës së Parteshit është liruar nga akuza për keqpërdorim besimi. Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, i Gjykatës Themelore në Gjilan, “pasi ka mbajtur seancat e shqyrtimit gjyqësor, ka administruar provat dhe ka marr në pyetje një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve, me aktgjykimin e datës 25.02.2015 e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin, Dragan Nikoliq”. “Gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar se i akuzuari Dragan Nikoliq, serb, shtetas i Republikës së Kosovës, gjatë vitit 2012, me dashje, gjatë përfaqësimit të interesave të besuara ka keqpërdor besimin e qytetarëve të Komunës së Parteshit, pasi që në vend që të ndajë grantin qeveritar për 15 familjet përfituese nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, granti është ndarë për 51 familje”, ka bërë me dije sot zyrtari për informim i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.  “Andaj, duke u bazuar në provat e administruara, trupi gjykues ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale keqpërdorimi i besimit, nga neni 269 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, është saktësuar në njoftim. Palët gëzojnë të drejtën e ankesës ndaj këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. I liruari nga akuza Dragan Nikoliq, është aktualisht kryetar i Komunës së Parteshit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here