Kryeprokurori Hoxha: “Me marrëveshje u zhdukën strukturat paralele të drejtësisë”

0

PRISHTINË, 12 SHKURT – Delegacioni i Republikës së Kosovës në bisedimet Kosovës – Serbi, për sistemin e drejtësisë, ka mbajtur dje, konferencë të përbashkët në Prokurorinë e Shtetit. Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha sipas një njoftimi që është lëshuar sot nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka thënë se nënshkrimin e kësaj marrëveshje ky delegacion e konsideron si një arritje të këtyre bisedimeve. “Ju e dini gjithë se pjesa Veriore ka qenë me sistem të drejtësisë paralele, ndërsa tash e tutje nuk do të jetë më paralele, por, do të ketë një sistem unik të drejtësisë edhe në atë pjesë të Kosovës” është shprehur u.d. i kryeprokurorit, Sylë Hoxha. Ai ka detajuar se prokurorët dhe gjyqtarët nga komuniteti serb që do të zgjidhen, do të punojnë në sistemin unik të drejtësisë së Kosovës, me ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe do t’iu nënshtrohen procedurave të përzgjedhjes sikurse gjithë prokurorët dhe gjyqtarët vendorë dhe emërimi final i tyre do të jetë nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se delegacioni kosovar ka pasur pesë qëllime në këtë marrëveshje. “Qëllimi i parë ka qenë që të ruhet sistemi i Drejtësisë në Kosovë. Qëllimi i dytë ka qenë që Gjykata në atë pjesë të territorit tonë dhe gjyqtarët qoftë shqiptarë apo serbë t’i zbatojnë ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, dhe në këtë marrëveshje theksohet që të respektohen ligjet e Republikës së Kosovës. Qëllimi i tretë ka qenë që të respektohet hierarkia e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës në propozimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe në disiplinimin e tyre, dhe rolin e Presidentes në dekretimin e tyre”, ka theksuar Kuçi, duke potencuar se qëllimi i katërt ka qenë që çdo zgjidhje në këtë marrëveshje të arrihet brenda ligjeve dhe Kushtetutës tonë. “Dhe ne garantojmë që me këtë marrëveshje asnjë ligj i vendit tonë, asnjë pikë e Kushtetutës nuk ka nevojë që të ndryshohet, pra marrëveshja është brenda tyre”, ka theksuar Kuçi. “Si dhe qëllimi i pestë ka qenë integrimi i asaj pjese të veriut, respektivisht i atyre njerëzve që kanë punuar në gjykatë dhe prokurori paralele, në kuadër të sistemit tonë”. Po ashtu, Kuçi, ka theksuar se implementimi i kësaj marrëveshje pret që të ndodhë menjëherë. Ndërsa, për prokurorët, gjyqtarët dhe stafin mbështetës shumë shpejt do të shpallen konkurset dhe do të aplikojnë përmes procedurave të parapara. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, ka theksuar se qëllimi i këtij delegacioni ka qenë që të sigurohet një Gjykatë Themelore dhe Prokurori Themelore, ashtu siç është paraparë me ligjet e zbatueshme. “Në vazhdimësi kemi pretenduar që të ruhet tërësia e sistemit gjyqësor, uniteti i sistemit gjyqësor, ashtu siç është paraparë me dispozitat e Kushtetutës dhe ligjit”, ka thënë Peci. Ish-kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, ka deklaruar se “është arritur një sistem unik juridik, i pandarë në vija etnike, zbatim i ligjeve penale të Kosovës rekrutimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve sipas dispozitave të parapara për rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, disiplinim i tyre”. Ai ka tërhequr vërejtjen se ka pasur tendenca që gjykata dhe prokuroria të ndahen në vija etnike, por ajo është evituar “dhe në të gjitha ndërtesat do të ketë gjyqtarë, prokurorë dhe staf mbështetës të të gjitha nacionaliteteve, apo kombeve që jetojnë në pjesën veriore të dhe pjesën jugore të Mitrovicës, si dhe në komunat Skenderaj, Vushtrri, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçan”, ka vequar ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here