Kryeprokurori, deputetëve: Nëse dini për vepra penale denoncojini tek organet e ndjekjes, por edhe kallëzimi i rremë dënohet…

0

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, e ka njoftuar sot opinionin se me vëmendje i ka përcjellë disa prononcime dhe kërkesa drejtuar sistemit prokurorial, që janë paraqitur gjatë seancave të fundit plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës “në lidhje me disa pretendime se janë kryer vepra të rënda penale nga individë të apostrofuar, pretendime këto që pohojnë se janë shkaktuar dëme qindra milionëshe ndaj buxhetit të vendit”.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i inkurajon dhe i fton të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët kanë njohuri për kryerjen e veprave konkrete penale që t’i denoncojnë ato pranë organeve të ndjekjes, duke dorëzuar çdo informacion që ata mund të kenë rreth kryerjes së këtyre veprave”, ka bërë thirrje Zyra e kryeprokuyrorit duke tërhequr vëmendjen se “denoncimi i krimit nuk është vetëm e drejtë, por edhe obligim qytetar e moral”, ndërkohë që “dështimi për të bërë një gjë të tillë paraqet vepër penale në vete”.
Por kryeprokurori ka tërhequr vërejtjen edhe se “lajmërimi apo kallëzimi i rremë është vepër e dënueshme sipas dispozitave aktuale në fuqi”.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka sqaruar se në disa raste palët mund t’i drejtohen drejtpërdrejtë gjykatës, apo “gjithmonë kur në pyetje janë fyerjet apo shpifjet, aspekte këto në të cilat nuk mund të involvohet Prokurori i Shtetit”.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit të vet dhe siguron të gjithë qytetarët e vendit se Prokurori i Shtetit do të trajtojë në pajtim me dispozitat ligjore çdo informacion që do të çonte tek zbulimi i kryesve dhe veprave penale të kryera nga kushdo, pavarësisht petkut nën të cilin ata veprojnë dhe punojnë, pozitës apo statusit që gëzojnë, por njëkohësisht sigurojmë se Prokurori i Shtetit nuk është dhe as që do të jetë ndonjëherë në shërbim të asnjë agjende të asnjë subjekti politik”, ka përmbyllur .

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here