Kryepolitikani botëror thotë se impresionohet me përparimin e Kosovës

0

PRISHTINE, 16 SHKURT – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama e ka uruar sot Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të shtatë të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se është i impresionuar me përparimin e Kosovës si një demokraci sovrane dhe shumetnike. Ka vlerësuar mbështetjen e Kosovës në luftë kundër terrorizmit dhe ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së SHBA-ve për Kosovën. Më poshtë mund ta lexoni urimin e presidentit të SHBA-ve drejtuar presidentes së Kosovës.
E nderuara zonja Presidente,

Me rastin e shtatë vjetorit të Pavarësisë, më 17 Shkurt, ju shpreh urimet e mia juve dhe qytetarëve të Kosovës. Çdo vit, vazhdoj të impresionohem me përparimin e Kosovës si një demokraci sovrane dhe shumetnike. Zgjedhjet historike parlamentare në qershor ia kanë dëshmuar botës përkushtimin e Kosovës për proceset demokratike në të gjithë vendin. Ju përgëzoj për lidershipin dhe këmbëngulësinë në punën tuaj me udhëheqësit partiakë gjatë procesit të zgjatur të krijimit të qeverisë. Mirëpresim dhe plotësisht mbështesim integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Ne mirëpresim konkurrimin, krah për krah, me atletët e Kosovës në Lojërat e ardhshme Olimpike. Ne gjithashtu e vlerësojmë mbështetjen e vendit tuaj për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL dhe përkushtimin tuaj të fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, një nga përparësitë kryesore të administratës sime.
Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e saj.

Sinqerisht,

Barack Obama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here