Kryepolicja, mërgimtarëve të Gjilanit: Nuk do të toleroheni të gjuani në dasma

0

Elmina Mahmuti, shefja e Policisë Rajonale në Gjilan, ua ka tërhequr vërejtjen mërgimtarëve të këtij rajoni se janë të mirëseardhur e të mirëpritur, por nuk do të tolerohen të përdorin armë nëpër dasma.

“Edhe pse ka një vetëdijesim të qytetarëve rreth përdorimit të armëve nëpër ahengje, megjithatë ne ende jemi të shqetësuar dhe kërkojmë nga çdo qytetar apo mërgimtar që t`u përmbahet udhëzimeve tona, sepse askush nuk do të tolerohet”, ka thënë ajo për “rajonipress”.

Mahmuti ka theksuar se ardhja e mërgimtarëve ka ngritur edhe nivelin e policisë për t’i pritur ata sa më mirë që është e mundshme.

“Ne po bëhemi gati për të pritur fluksin e mërgimtarëve. Statistikat flasin se me ardhjen e tyre rriten edhe aksidentet, gjuajtjet me armë në ahengje e dasma. Përkundër respektit, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin dhe nuk do të ketë tolerime për askënd”, është shprehur Mahmuti.

Ajo ka theksuar se këtë vit problem mbesin menaxhimi i parkingjeve dhe rrugëve të vjetëruara.
“Parkingjet janë të pakta, derisa rrugët e vjetëruara e vështirësojnë qarkullimin normal të vozitësve”.

Mahmuti ka shprur edhe një shqetësim tjetër që lidhet me sigurinë e qytetarëve.
“Sivjet kemi rritje të aksidenteve me fatalitet dhe kjo është tepër brengosëse”.

Njeriu i parë në policinë rajonale në Gjilan ka edhe një falënderim për qytetarët.
“Vërtet pa ndihmën e qytetarëve vështirë është që të ruhet stabiliteti dhe siguria në të gjitha aspektet. Janë pikërisht qytetarët që duhet falënderuar për këtë arritje”, ka theksuar kryepolicja Elmina Mahmuti.

Gjuajtja-me-arme-ne-dasma

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here