Kryeparlamentari Veseli vizitë tek familjet e dëshmorëve të UÇK-së në Shqipëri

0

TIRANË, 11 SHKURT – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i ka vizituar sot familjet e dëshmorëve të UÇK-së, Tahir Sinani në Tiranë, dhe Indrit Cara në Kavajë. “Ju, familje të dëshmorëve, jeni pjesë e krenarisë dhe e lirisë së Kosovës, sepse i dhatë asaj bijtë tuaj më të mirë. Kosova u është përherë mirënjohëse të gjithë luftëtarëve nga Shqipëria, të cilët iu bashkuan luftës çlirimtare në Kosovë dhe me kontributin e tyre i dhanë shtysë të madhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për çlirim nga robëria shekullore”, ka thënë Veseli gjatë këtyre vizitave. Familjet Sinani e Cara sipas një njoftimi nga Kuvendi i Kosovës e kanë falënderuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës për kujdesin e treguar ndaj tyre dhe përkujtimin për bijtë e tyre të rënë në altarin e lirisë, si në cilësi të bashkëluftëtarit, ashtu edhe të njërit nga drejtuesit kryesorë politikë e institucionalë të Kosovës. Në kuadër të vizitës në familjen Cara në Kavajë, kryeparlamentari Veseli ka bërë homazhe dhe ka vendosur një tufë lulesh pranë varrit të dëshmorit Indrit Cara. Po sot, kryetari Veseli ka vendosur lule edhe pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në Tiranë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here