Kryeparlamentari Veseli u takua me nxënës të dalluar

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot në ambientet e Kuvendit një grup prej 45 nxënësish të dalluar të Gjimnazit “Eqrem Çabej” nga Prishtina, pjesë e projektit “Fuqizimi përmes Lidershipit”, të shoqëruar nga deputetja Njomza Emini dhe zyrtari për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Jeffrey Jamison.
Duke ritheksuar përkushtimin e tij për t’i ofruar publikut qasje të plotë në mjediset dhe punën e institucionit më të lartë legjislativ të vendit, kryetari Veseli bëri një përshkrim të funksioneve kushtetuese të Kuvendit, rolit, punës dhe përbërjes së tij, ndërsa u ndal në çështje të rëndësishme të punës së përditshme, që lidheshin me mënyrën e vendimmarrjes.
Nxënësit, nga ana e tyre, falënderuan kryetarin Veseli për pritjen e ngrohtë dhe adresuan një varg pyetjesh lidhur me aspekte të ndryshme të funksionimit dhe mbarëvajtjes së punës së Kuvendit, por edhe me zhvillimet aktuale politike në vendin tonë.
Duke u përgjigjur në pyetjen përkitazi me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të lira të punës, kryetari Veseli tha se përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët është preokupim i çdoditshëm e institucioneve dhe në këtë funksion, ligjet e fushës ekonomike do të trajtohen me prioritet nga ana e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit u ndal edhe në rëndësinë e ngritjes së cilësisë së arsimit, si parakusht për zhvillim më të madh e të qëndrueshëm ekonomik.
“Pa edukim cilësor, nuk mund të kemi zhvillim ekonomik”, theksoi kryetari Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here