Kryeparlamentari Veseli i falenderoi për kontributet 3 ish presidentët dhe ish kryeministrin Berisha

0

TIRANË, 11 SHKURT – Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli me bashkpëuntorët është takuar sot me ish-presidentët e Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu e Bamir Topi. Veseli i ka njoftuar ish-presidentët shqiptarë me angazhimet e Kuvendit të Kosovës, si dhe zhvillimet aktuale në vend. Kreu i legjislativit, në emër të institucioneve të Kosovës i ka falënderuar tre ish-drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar për kontributin e dhënë gjatë presidencës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kryetari Veseli, i ka çmuar gjithashtu, angazhimet e tyre në krijimin e politikave unifikuese përbrenda faktorit politik shqiptar, si në fazën e ushtrimit të detyrës në krye të shtetit, ashtu edhe në periudhat pasuese. Ish-presidentët Meidani, Moisiu e Topi i kanë vlerësuar të arriturat në Kosovë dhe kanë potencuar rëndësinë e bashkërendimit të politikave për një varg çështjesh të interesit të përbashkët të të dyja vendeve. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka zhvilluar sot një takim të veçantë edhe me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Kryeparlamentari Veseli i ka shprehur ish-kryeministrit shqiptar falënderime të veçanta për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, gjatë veprimtarisë së tij politike e me përgjegjësi shtetërore. Kreu i Kuvendit të Kosovës ka vequar “sidomos angazhimin e palodhshëm të ish-kryeministrit shqiptar në periudhën e shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si dhe në zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të saj”. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, duke i hapur kështu rrugë përafrimit të mëtejmë ndërmjet dy vendeve, ishte një nga të arriturat e mëdha që kryeparlamentari Veseli ia atribuoi ish-kryeministrit Sali Berisha. Ish-kryeministri shqiptar, e ka përgëzuar kryetarin Veseli për detyrën në krye të Kuvendit të Kosovës dhe i ka uruar suksese në këtë funksion me përgjegjësi të lartë shtetërore. Ai e ka njoftuar kryetarin Veseli me zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe për qasjen e opozitës shqiptare ndaj tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here