Kryeparlamentari suedez: “Ne ende i qëndrojmë prapa Kosovës, e mbështesim në të gjitha proceset”

0

 

PRISHTINË, 23 SHKURT – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, e ka pritur sot në takim kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë në krye të një delegacioni parlamentar suedez. Kryepalementari kosovar dhe ai suedez kanë biseduar për raportet e mira që parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërmjet tyre, ndërsa është shtruar nevoja që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare, posaçërisht në fushën e komisioneve dhe të administratave. Veseli e ka falenderuar homolgun e tij siq ka thënë për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake, politike e ekonomike të shtetit suedez për Kosovën në të gjitha fazat, si dhe në aspektin e zgjerimit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës e të procesit të integrimit evropian. Veseli i ka çmuar lart marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy vendeve, përkatësisht ndërmjet parlamenteve dhe avancimin e tyre gjatë viteve, por ka shtuar se ka rrugë dhe mundësi të tjera për ta rritur më tej këtë bashkëpunim. Kreu i legjislativit të vendit e ka konsideruar të vyer për Kosovën dhe Kuvendin e saj përvojën e gjatë demokratike e parlamentare të Suedisë, praktika të të cilës, konform rrethanave, mund të jenë të zbatueshme në vendin tonë. Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, vizitën e tij në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, e ka konsideruar një mundësi për të kontribuar më shumë në forcimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve që tashmë të dy shtetet dhe parlamentet respektive kultivojnë ndërmjet tyre. Ai ka vlerësuar lart hapat zhvillimorë që ka bërë Kosova në të gjithë fushat dhe ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për ta vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen. “Ne si shtet i Suedisë, i qëndrojmë ende prapa Kosovës dhe dëshirojmë ta përkrahim atë në të gjitha proceset e saj”, ka theksuar Ahlin. Kryeparlamentari i Suedisë është pritur edhe nga preisedentja e vendit Atifete Jahjaga e cila poashtu e ka falenderuar atë për ndihmën e shtetit suedez në procesin e shtetndërtimit të Kosovë, njëkohësisht duke shfaqur shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe për proceset e integrimit në strukturat euroatlantike. Presidentja Jahjaga ka nënvizuar ndër të tjera se “përkundër sfidave, Kosova sot është promotore e paqes dhe e stabilitetit në rajon”. Presidentja Jahjaga dhe Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, kanë biseduar edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, dhe janë dakorduar se përpos arritjes së marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, është shumë i rëndësishëm angazhimi konkret për implementimin e tyre në praktikë. Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, ka shprehur përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet dhe qytetarët e Kosovës në të gjitha sferat me interes dypalësh si dhe në procesin e integrimi të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ai ka tërhequr vëmendjen se Suedia është përkrahëse e politikës së zgjerimit të BE-së dhe mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai ka bërë me dije se migrimi ilegal e ka vështirësuar këtë proces, por gjithashtu ka theksuar se Kosova duhet të përmbushë të gjitha kriteret në kuadër të këtij dialogu. Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e ka pritur sot kryetarin e Parlamentit të Suedisë. Kryeministri Mustafa dhe kryetari Ahlin kanë biseduar për proceset aktuale në Kosovë, perspektiven integruese evropiane dhe përkrahjen e Suedisë për Kosovën. Kryeministri Isa Mustafa e ka informuar kryetarin e Parlamentit të Suedisë për progresin që po arrihet në Kosovë, duke e njoftuar me agjendën e prioriteteve të Qeverisë që kanë për synim zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, hapjen e vendeve të punës, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat në fushën e arsimit dhe shëndetësisë. Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, e ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Suedisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here