Kryeparlamentari kroat, Leko: “Do të vazhdojmë të jemi avokatë të Kosovës në Bruksel”

0

Pas takimit me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq, zëvendëskryeministri Thaçi ka takuar edhe kryeparlamentarin kroat Josip Leko, me të cilin bashkëbisedoi për thellimin e bashkëpunimit në sferën parlamentare. Kryeparlamentari Leko tha se Kroacia ka qenë dhe mbetet promotore e fuqishme e liberalizimit të vizave dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Deputetet tanë në Parlamentin Evropian e kanë mbajtur gjithmonë lartë në axhendën tonë çështjen e Kosovës. Do të vazhdojmë të jemi avokatë të Kosovës në Bruksel”, ka thënë kryeparlamentari kroat, Josip Leko.
Zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se Kosova vazhdon të fuqizojë subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Ne së shpejti presim ta nënshkruajmë MSA-në me BE-në, e cila do të jetë ndihmesë e madhe në përmbylljen e kapitullit të konsolidimit të jashtëm të Kosovës, sepse do të shërbente edhe si një sinjal i mirë për të gjitha ato shtete që ende nuk na kanë njohur. Kroacia për ne ishte partnere shumë e rëndësishme në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe e çmojmë shumë përkrahjen e deritashme, por llogarisim ende në përkrahjen tuaj parlamentare, sidomos në lobim tek shtetet që nuk na njohin dhe në anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi.
Që nga korriku i vitit 2013, Kroacia është anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe roli i saj për Kosovën mbetet i dyfishtë. Përveç që ishte partnere e hershme strategjike e Kosovës, Kroacia tashmë është bërë edhe një shtet anëtar i BE-së me politikë përkrahëse për integrimin e Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here