Kryeparlamentari Veseli mbolli drurin e njëmijtë në ambientet e Qendrës së Studentëve

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një vizitë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, gjatë të cilës takoi drejtues të kësaj qendre dhe studentë, ndërkaq për nder të Ditës së Tokës, mbolli fidanë në oborrin e konvikteve.
“Është obligim yni që të ofrojmë kushte sa më të mira për studentët tanë, si në studim, ashtu edhe në konvikte dhe mensë”, theksoi kryetari Veseli.
I shoqëruar nga drejtori i Qendrës, Fatmir Sfishta dhe përfaqësues të studentëve, kryeparlamentari Veseli vizitoi palestrën e sporteve në kuadër të qendrës dhe ndoqi drejtpërdrejt momente nga një ndeshje futbolli ndërmjet dy skuadrave studentore.
Më pas, kreu i Kuvendit të Kosovës vizitoi edhe bibliotekën, në të cilën takoi studentë dhe u interesua për kushtet që ajo ofron, si dhe për nevojat eventuale të saj për përmbushjen e kushteve të leximit e të studimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës zgjodhi pikërisht Qendrën e Studentëve për të mbjellë fidanë me rastin e Ditës së Tokës.
Pas mbolli një fidan në oborrin e konvikteve, kryeparlamentari Veseli e cilësoi ditën e sotme një ditë sensibilizuese për të krijuar një ambient sa më të mirë e të shëndetshëm për të gjithë.
“Mbolla sot një dru, që do të lulëzojë në vendin e lulëzimit të dijes. U njoftova se ky është druri i njëmijtë që po mbillet në ambientet e Qendrës së Studentëve”, tha me këtë rast kryetari Veseli.

Për studentët, ndërkaq, kryetari i Kuvendit përçoi mesazhin që t’i përkushtohen studimit dhe dijes, sepse, siç u shpreh kryetari Veseli, ata janë kategoria më e vlefshme e shoqërisë, e cila i duhet më së shumti vendin tonë për të ecur përpara.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here