Kryeministri u thotë deputetëve se në Bruksel nuk u shkel Kushtetuta

0

PRISHTINË, 12 SHKURT – Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka raportuar sot para Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai i ka siguruar deputetët e legjislativit kosovar se “marrëveshja është në harmoni me Kushtetutën, ligjet dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, që ka të bëjë me bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë”. “Jemi të përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe presim që këtë ta arrijmë me anë të dialogut”, ka thënë Mustafa. Ai ka shtuar se marrëveshja e arritur në Bruksel vitin e kaluar, ka kontribuar në lëvizjen e lirë, si dhe, në integrimin e qytetarëve serb. Ai ka shpjeguar se me dialog synohet zhbërja e strukturave ilegale serbe, përkatësisht Mbrojtjes Civile Serbe, e cila vazhdon të funksionojë në veri të vendit. Mustafa ka folur edhe për orientimin euro-atlantik të vendit, i cili sipas tij mund të arrihet vetëm me anë të dialogut. Duke folur për vijimin e dialogut, kryeministri i vendit ka paralajmëruar bisedime edhe për demarkacionin, dëmshpërblimet e luftës dhe për personat e pagjetur. Partitë e pozitës në Kuvendin e Kosovës e kanë vlerësuar pozitivisht marrëveshjen e Brukselit ndërkaq ato të opozitës negativisht. Në emër të GP të PDK-së, deputeti Enver Hoxhaj, e ka vlerësuar me interes për vendin marrëveshjen e arritur. “GP i PDK-së, i jep mbështetje kësaj marrëveshje, që është rezultat i negociatave mëse dy vjeçare. Kjo tregon se qëllimi i Serbisë për të krijuar sistem paralel të drejtësisë në Kosovë, ka dështuar, marrëveshja ruan unitetin e sistemit të drejtësisë dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj. Në emër të GP të LDK-së, Ismet Beqiri, shef i këtij grupi e ka deklruar mbështetjen në favor të marrëveshjes, ndërsa e ka vlerësuar të rëndësishme implementimin e saj. Në emër të GP të VV-së, Visar Ymeri ka bërë me dije se ky grup parlamentar është kundër kësaj marrëveshje. “Me këtë marrëveshje është shkelur Kushtetuta e vendit”, ka thënë ai duke iu referuar ndër të tjera pikës së 13 të marrëveshjes, derisa e ka kritikuar kryeministrin për qëndrim të kundërt të tij në kohën kur partia e tij ishte në opozitë. Fatmir Limaj nga NISMA është treguar skeptik se marrëveshja është në interes të Kosovës, ndërkaq ka thënë se marrëveshja do të duhej të sillej me shkrim para se të vendosej në rend të ditës në mbledhjen e sotme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here