Kryeministri Mustafa: “Shoqëritë e emancipuara cilësohen me përfshirje të madhe të grave në të gjitha aktivitetet”

0

Kryeministri Isa Mustafa ka drejtuar sot një urim të veqantë për gratë e Kosovës nga llogaria e tij në rrjetin social “Facebook”. “Historia e Ditës së Gruas nuk njeh vetëm kërkesat e grave për të drejtat e tyre; të votës, qeverisjes, punës, arsimimit, për ndalimin e diskriminimit por edhe për kundërshtimin e tyre ndaj dhunës, luftës, urisë… “, ka përkujtuar ai në fillim të urimit. “Këso ishin edhe gratë kosovare të fundshekullit të njëzetë. U gjetën në radhët e para të protestave kundër dhunës e terrorit. U përplasën me makinerinë ushtarake e policore për të ruajtur dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur familjen dhe për ta fituar lirinë e vendit të tyre. Ishin luftëtare, heroina, dëshmore të kombit”, ka kujtuar ai. “Të tilla janë edhe sot. Në institucionet më të larta të vendit, bartëse të arsimit e edukimit, mjeke e afariste, police e pjesëtare të FSK-së, kultivuese të familjes e edukatore të fëmijëve”, ka shtuar kryeministri Mustafa duke tërhequr vërejtjen se ato “meritojnë edhe më shumë, kujdesin më të madh të shoqërisë”. “Shoqëritë e emancipuara cilësohen me pozitën sociale të gruas, me përfshirje të madhe të grave në të gjitha aktivitetet ekonomike e sociale. Vlerat e një shoqërie nuk maten me numra të veçuar, ato pasqyrohen përmes harmonisë. Do të punojmë së bashku të ndërtojmë vlerat tona”, është shprehur ai. “Zonja të nderuara, Ju uroj 8 Marsin!”, e ka përmbyllur postimin e tij kryeministri Mustafa.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here