Kryeministri Mustafa prezentoi Programin Qeverisës para komunitetit të donatorëve

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë sot në Forumin e Nivelit të Lartë, ku u prezantuan pikat kryesore të Programit Qeverisës 2015-2018, para komunitetit të donatorëve dhe agjencive të tjera. Ai ka paralajmëruar se pas Programit Qeverisës, Qeveria e Kosovës do të iniciojë edhe hartimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit për periudhën 2015-2020. Mustafa ndër të tjera ka thënë qeveria të cilën e drejton është e interesuar që ta rris ekonominë përmes rritjes së GDP-së, e cila do të mundësonte një normë të punësimit që do të përfshinte fluksin vjetor të të papunëve që hyjnë në tregun e punës, e që sipas evidencave të qeverisë sillet ndërmjet 25 mijë deri në 30 mijë të papunë çdo vit. Ndërkohë që më vonë planifikohet çasja ndaj kontingjentit të të papunëve të cilët janë në zyrat e punës.

Më poshtë mund të gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Isa Mustafa në këtë forum.

“Unë sot kam nderin të hap takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, në të cilin do të shqyrtojmë disa prej çështjeve që kanë të bëjnë me mbështetjen e programeve ekonomike zhvillimore të Kosovës nga donatorë të ndryshëm. Kam kënaqësinë time të përshëndes pjesëmarrjen e z.Samuel Zhbogar, përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, pjesëmarrjen e zëvendësambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jennifer Bachus, e cila është sot me ne këtu, pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve diplomatikë që janë këtu, ambasadorëve dhe përfaqësuesve të tjerë akademik, përfaqësuesve të fondacioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, sepse për ne pjesëmarrja juaj këtu për ne është shumë e rëndësishme.

Ne gjatë periudhës së kaluar kemi pas rastin të takohemi individualisht me ju dhe të këmbejmë mendimet lidhur me zhvillimin ekonomik, si partnerë tonë shumë të rëndësishëm.

Një javë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Programin Qeveritar për katër vitet e ardhshme, kemi përcaktuar orientimet tona themelore, të cilat kryesisht janë të fokusuara në zhvillimin ekonomik, në rritjen ekonomike, në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në rënien e varfërisë, si dhe në forcimin e shtetit të së drejtës, si komponent shumë i rëndësishëm i tërheqjes së investimeve të huaja dhe stabilitetit ekonomik.

Dëshiroj që edhe kësaj radhe t’ju falënderoj ju dhe qeveritë tuaja për përkrahjen që na e keni dhënë deri më tani dhe po ashtu t’ju inkurajoj për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në mënyrë që t’ju kemi mbështetje në programin tonë qeverisës dhe po ashtu në projektet dhe programet e veçanta zhvillimore, të cilat do t’i bëjmë së bashku me sektorin privat kryesisht.

Ne sot do t’ju informojmë shkurtimisht lidhur me përmbajtjen e Programit Qeverisës për periudhën e ardhshme kohore dhe, po ashtu të shohim bashkërisht se cilat do të jenë fushat në të cilat ne mund të llogarisim në mbështetjen tuaj, sepse ajo është me rëndësi themelore që ne ta kapërcejmë këtë situatë ekonomike dhe sociale në të cilën sot ndodhemi.

Përpos programit ekonomik, ne do të iniciojmë hartimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit për periudhën 2015-2020, e cila po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe përmes së cilës strategji, ne do të definojmë edhe më tutje prioritetet tona ose prioritetet e prioriteteve, duke u fokusuar kryesisht në projekte dhe programe ekonomike, të cilat krijojnë vende të punës dhe të cilat krijojnë perspektivë zhvillimore në njërën anë dhe, po ashtu edhe pjesëmarrjen tonë në tregun regjional, evropian dhe atë botëror.

Programin tonë ne e kemi llogaritur në partneritet me Bashkimin Evropian, kemi llogaritur po ashtu në fondet e veçanta të IPA-s, të cilat mund t’i shfrytëzojmë në periudhën e ardhshme kohore dhe, po ashtu kemi vlerësuar gjithë ndihmën dhe financimin që është dhënë nga programi IPA deri në periudhën e tanishme, si dhe nga fondet tjera të Bashkimit Evropian.

Kemi vlerësuar po ashtu pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të qeverive dhe të bizneseve të vendeve të tjera në projektet e ndryshme të cilat sot po funksionojnë në Kosovë dhe të cilat kanë krijuar kushte që ekonomia jonë të ketë mundësi që të zhvillohet.

Ne jemi të interesuar që ta rrisim ekonominë përmes rritjes së normës vjetore të rritjes ekonomike, përkatësisht të GDP-së, e cila do të mundësonte një normë të punësimit që do të përfshinte fluksin vjetor të të papunëve që hyjnë në tregun e punës, që për ne sipas evidencave të deritanishme sillet ndërmjet 25 mijë deri në 30 mijë të papunë çdo vit dhe, po ashtu më vonë t’i qasemi edhe kontingjentit të të papunëve të cilët janë në zyrat e punës.

Dëshirojmë të bëjmë reforma të caktuara në sferën e ekonomisë, të cilat kryesisht do të orientohen në politikat e reformave fiskale, në ndryshimin e strukturës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, dhe lirimin e firmave të reja të cilat themelohen në vitet e para nga pagesat e tatimit në fitim dhe pagesat e tatimit në të ardhurat e korporatave, në shkallëzimin e TVSH-së, si dhe në ndryshimin e normave të TVSH-së për produktet e ndryshme.

Jemi të interesuar poashtu dhe do të punojmë që të lirojmë nga TVSH-ja edhe importimin e makinerisë dhe pajisjeve të tjera të cilat hyjnë në vend dhe të cilat janë të destinuara për investime, përkatësisht për projekte zhvillimore.

Do të punojmë poashtu në parandalimin dhe zvogëlimin e ekonomisë informale, në mënyrë që ta formalizojmë ekonominë, edhe në pikëpamje të përfshirjes së saj në pagimin e tatimeve dhe taksave, dhe poashtu edhe në pikëpamje të kryerjes së obligimeve të kësaj ekonomie ndaj të punësuarve, në mënyrë që mos të kemi papunësi, përkatësisht punësim informal, por ta formalizojmë tregun e punës dhe tregjet e tjera.

Kemi vlerësuar deri më tani se duhet të bëjmë eliminimin e të gjitha barrierave ligjore, të cilat e vështirësojnë të bërit biznes dhe burokracinë, por poashtu krahas kësaj të bëjmë edhe sigurimin e kushteve elementare sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Ne do t’i japim prioritet tani energjisë elektrike, sepse mendojmë se ajo është e pamjaftueshme për nevojat e ekonomisë dhe nevoja familjare.

Tani jemi në projektin Kosova C, të cilin ne do ta mbështesim fuqimisht dhe poashtu do të mbështesim fuqimisht pas këtij projekti edhe projektet e tjera të cilat na krijojnë stabilitet me furnizimin me energji elektrike.

Do të punojmë në rivitalizimin e sektorit të minierave, dhe në përcaktimin ekonomik të statusit të Trepçës. Po e theksoj në përcaktimin ekonomik jo pronësor, sepse ne do të përcaktohemi në ekonomi të tregut dhe në vlerësimin e kritereve të tregut gjithsesi, dhe assesi të kthehemi mbrapa sa i përket çështjeve pronësore.

Jemi të interesuar që Trepça edhe pasuritë tjera minerare, të shfrytëzohen me kushtet sa më të mira ekonomike, në mënyrë që të krijojnë në njërën anë vende pune, dhe në anën tjetër të krijojnë qasjen tonë në tregje dhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm.

Jemi të interesuar të zhvillojmë turizmin, qoftë si turizëm të brendshëm, por edhe në bashkëpunim me vendet në regjion. Ne me 25 të këtij muaji e kemi takimin me ministrat e Jashtëm dhe të Infrastrukturës, me të cilët do të diskutojmë çështjet e bashkëpunimit në sektorin e energjetikës dhe në sektorin e infrastrukturës.

Kemi hapësirë të diskutojmë edhe për sektorët e tjerë, dhe kjo do të jetë një përgatitje e mirë për takimet të cilat do të jenë në mesin e këtij viti në Vjenë, ku do të trajtojmë bashkëpunimet me vendet në regjion sa i përket zhvillimit ekonomik.

Një shtyllë tjetër shumë e rëndësishme për neve është ajo e forcimit të shtetit të së drejtës. Jemi të interesuar që shteti i së drejtës të funksionojë, të jetë mbështetje e fuqishme e sektorit të zhvillimit ekonomik, të zgjidhen të gjitha kontestet të cilat janë në procedurë, e që janë të lidhura me ekonominë, dhe poashtu të ulim korrupsionin dhe krimin e organizuar, në mënyrë që ai mos të jetë pengesë e tërheqjes së investimeve të huaja direkte dhe e punës së investitorëve të jashtëm por edhe investitorëve të brendshëm në vendin tonë.

Ne jemi të interesuar që të forcojmë agjendën tonë evropiane, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, sepse konsiderojmë se edhe zhvillimi i arsimit dhe i shëndetësisë janë fusha shumë të rëndësishme ekonomike, nga arsyeja se me sigurimin e një arsimi të fuqishëm të njerëzve të dijshëm, ne do të ulim shpenzimet suplementare ose investimet suplementare të investitorëve të jashtëm dhe të brendshëm në fushën e arsimit. Dhe në anën tjetër, në fuqizimin e shëndetësisë ne do të kemi një fuqi punëtore të shëndoshë, të përgatitur mirë dhe të aftë për t’u përballuar me nevojat e një ekonomie e cila do të jetë ekonomi konkurrente, jo vetëm brenda Kosovës, jo vetëm në regjion, por edhe në tregun evropian dhe tregun ndërkombëtar.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here