Kryeministri jep garanca për mbështetjen e çdo projekti në komunën e udhëhequr nga LDK-ja

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zv.kryeministri dhe ministri i kulturës Kujtim Shala dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, sot e kanë vizituar Komunën e Suharekës. Gjatë kësaj vizite ata janë pritur nga kryetari i komunës së Suharekës Sali Asllanaj dhe një pjesë e stafit të tij udhëheqës. Pas takimit që u organizua në zyrën e kryetarit Asllanaj, Kryeministri Mustafa, ka theksuar se “ne konstatuam se është punuar mjaft shumë në këtë komunë sa i përket ndërtimit të infrastrukturës, të zgjidhjës së problemeve të drejtpërdrejta të qytetarëve”. “Është një lidhje shumë e mirë me qytetarët edhe sa i përket investimeve dhe një pjesëmarrje e konsiderueshme e tyre ka qenë në investimet që janë kryer këtu në komunë. Problem jetik i komunës mbetet problemi i zhvillimit ekonomik, problemi i përkrahjes së bujqësisë, sepse edhe në sektorin e bujqësisë ka rezultatete shumë të mira, por lypset përkrahje më e madhe e bujqëve, për arsye se edhe klima, por edhe shprehitë e punës së kësaj ane janë shumë të pëlqyeshme dhe të cilat krijojnë mundësi konkurruese me prodhuesit tjerë, ose vendet tjera nga ne importojmë këtu”, ka theksuar kryeministri Mustafa. “Ka kërkesa gjithashtu për tërheqjen e investuesëve të jashtëm këtu dhe ne do të punojmë bashkërisht me komunën që krahas ndryshimeve të ligjeve që do t’i bëjmë në nivel vendi, të krijojmë hapësira që investimet t’i drejtojmë më shumë nëpër komuna dhe të kemi një bashkëpunim më të drejtpërdrejt me kryetarë të komunave dhe organet tjera të komunave, në mënyrë që të fillojmë të zgjidhin problemet krahas një përkrahje më të madhe që do ta marrim nga vetë udhëheqësit komunale, nga pushteti lokal”, ka shtuar ai.Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës z.Sali Asllanaj, ka thënë se ka patur nderin që të priste si mysafirë Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa. “Prej Kryeministrit morrëm garancione që do të kemi mbështetje për të gjitha hallet, për të gjitha ato projekte që janë në funksion të mirëqenës sa më të mirë të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të komunës sonë, do të kemi përkrahje dhe kjo na jep kënaqësinë për ne si komunë se ndoshta po vijnë ditë shumë më të mira, që komunat të kenë mbështetje shumë më të fuqishme nga Qeveria e Kosovës”, është shprehur Asllanaj Në Suharekë pushtetin komunal e udhëheqë Lidhja demokratike e Kosovës, të cilën e drejton vet kryeministri Isa Mustafa.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here