Kryeministri i ri grek Aleksis Tsipras kërkon rinegocim për borgjin 330 miliard euro

0

Borxhi grek mendohet se kap vlerën e 330 miliardë eurosh, ose 175 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto.

Qeveria e re e Aleksis Tsipras ka ardhur në pushtet pikërisht me premtimin se ky borxh duhet rinegociuar, përkundër këmbënguljes së Bashkimit Europian se asnjë qeveri nuk mund të mos i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara më parë.

Por i kujt është ky borxh dhe cilët janë kreditorët e Greqisë që presin të mësojnë se çfarë do të ndodhë në muajt dhe vitet e ardhshme? 72 për qind e borxhit grek është në duart e institucioneve publike: 60 për qind të parave i ka ofruar Fondi për Stabilitetin Europian, ndërsa 12 për qind Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Banka Qendrore europiane zotëron 8 për qind të borxhit, ndërsa 15 për qind janë hua të marra nga bankat e nivelit të dytë, ku vetëm 4 për qind janë borxhe afatshkurtra.

Duke i ndarë kreditorët e Greqisë në shtete, Gjermania mban vendin e parë me 60 miliardë euro, e ndjekur nga Franca me 46 miliardë dhe Italia me 40 miliardë.

Ndërkohë, komisionieri europian për ekonominë, Gynter Otinger, e bëri të qartë se rinegociimi i borxhit publik grek do të dërgonte mesazhin e gabuar në vendet e tjera të eurozonës që janë në vështirësi financiare.

“Nëse prekim borxhin e Greqisë, atëherë do të jepnim sinjalin e gabuar ndaj Portugalisë, Irlandës, Qipros apo Spanjës. I takon qeverisë greke të vendosë çfarë do të bëjë, por për ne është e qartë që nuk do të ketë ofertë të përmirësuar”, ka thënë në fjalimin e parë të mbajtur pas shpalljes së rezultatit, Tsipras i cili u zotua që trojka nuk do të kishte më vend në Greqi, duke lënë të kuptohet se bisedimet në muajt e ardhshëm do të jenë të ashpra.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here