Kryeministri Cerar i ka premtuar kryeministrit Mustafa procedura të shpejta rreth “rastit Haradinaj”

0

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka patur një bisedë telefonike sot me kryeministrin slloven Miro Cerar rreth rastit Haradinaj. Ai ka shprehur para kryeministrit slloven brengosjen e tij lidhur me ndalimin e ish kryeministrit të Kosovës dhe deputetit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas një njoftimi nga kryeministria kryeministri Isa Mustafa e ripërsëriti se nuk ka asnjë arsye që Haradinaj edhe më tutje të përballet me situata të tilla, sidomos kur kemi parasysh se pafajësia e Haradinajt është dëshmuar edhe në gjykatat ndërkombëtare.

“Të dy kryeministrat shprehën gatishmërinë që bashkërisht të punojnë në drejtim të evitimit të situatave të tilla, duke kërkuar nga Interpoli që të rishikohet lista e fletarresteve për të cilat tashmë ka vendime shfajësuese nga instancat më të larta të drejtësisë ndërkombëtare”, është theksuar në komunikatën nga kryeministria.
“Kryeministri slloven, z. Cerar i premtoi kryeministrit Mustafa se procedurat ndaj z. Haradinaj do të zhvillohen sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me ligjin dhe detyrimet ndaj Interpolit, përderisa kryeministri Mustafa apeloi te homologu Cerar që z. Haradinaj t’i mundësohet kthimi sa më parë në Kosovë”, është përmbyllur ajo.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here