Kryeministrat Mustafa e Rama “njësojnë” dy anët e kufirit

0

PRISHTINË, 16 SHKURT- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kanë përuruar sot në pikëkalimin doganor në Vermicë terminalin e ri doganor në mes të dy vendeve. Kryeministri Mustafa ka thënë me këtë rast se ishte kënaqësi të përurohej terminali që ishte fryt i një marrëveshjeje në takimin e përbashkët të dy qeverive në Prizren. “Bashkëpunimi ynë ekonomik, i përcjellë edhe me bashkëpunimin në fusha tjera, do të jetë shprehje e lidhjes tonë, shprehje e mosekzistimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe shprehje e synimeve tona për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe të gjitha interesat tona të përbashkëta t’i arrijmë si pjesë e familjes së madhe evropiane”, është shprehur ai. Përfitimit nga terminali sipas Mustafës do të jenë të shumëanshme. “Qëllimi është edhe të ulim koston nga e cila do të përfitojnë bizneset në mënyrë të drejtpërdrejt, do të përfitojnë edhe qytetarët, sepse do të realizojnë mallra dhe do t’i konsumojnë ato me çmime më të ulëta.” Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka tërhequr vëmendjen se marrëveshja “njëson dy anët e kufirit dhe zhduk burokracitë që shkaktojnë vonesa në dogana”. “I japim fund një kapitulli vonesash, pengesash e zvarritjesh për sipërmarrjen që punon në dy anët e kufirit dhe që ka nevojë për këtë pikë shërbimi jo për t’u vonuar, por për t’u pasur si një pikë kalimi pa asnjë vonesë kohe dhe burokracie. Nga sot, mjaftojnë vetëm 5 minuta për të kaluar mallrat nga njëra anë në tjetrën…”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Rama. “Kufijtë janë pika bashkimi dhe jo ndarjeje, kjo ka qenë bindja jonë për bashkimin kombëtar dhe evropian me Kosovën”, ka theksuar ai. “Vite të tëra politike turbofolku nacionalist na kujtonin se hapësira mes së thënës dhe së bërës është një det i tërë. Ashtu siç mund të ketë pasur të tjerë që kjo ishte një retorikë e jona nacionaliste. Ja ku jemi sot në një nga ato ditë ku materializojmë një pjesë të të gjithë atij mozaiku që përcaktuam në mbledhjen e përbashkët mes qeverive tona në Prizren”, ka vequar Rama. Ai në këtë përurim e ka përshëndetur edhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për drejtësinë. Rama e ka përgëzuar Kosovën për trajtimin jashtëzakonisht të mirë të minoritetit serb në Kosovë duke e quajtur shembull të Ballkanit dhe e ka ftuar Serbinë që edhe ajo të aplikojë standarde të njëjta për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here