Kronikë e një prishje të paralajmëruar me personazhe Thaçin e Surroin

0

Kronikën e një prishje të paralajmëruar mes Hashim Thaçit dhe Veton Surroit më 2007 e kishte shkruar Uk Lushi qysh më 2003.

Aktivisti shqiptaro-amerikan e kishte parë të panatyrshme aleancën mes Hashim Thaçit dhe Veton Surroit në politikë.

Në një letërkëmbim me gazetarin Augustin Palokaj, ish-ushtari i UÇK-së kishte thënë se Surroi është mirë të rri jashtë politikës.

Publikimin e letërkëmbimit Lushi e ka bërë pasi ka lexuar librin e Surroit, “Këmbët e Gjarpërit”, të cilin në raport me PDK-në e karakterizon një kursi i ri i Surroit, i inauguruar pas mosfutjes së ORA-s në Kuvend në zgjedhjet e vitit 2007, gjë e cila kishte bërë që ORA të mos mund të bëhet pjesë e Qeverisë që e kishte formuar PDK-ja, çka më vonë kishte ndikuar edhe në prishjen e raportit mes Thaçit dhe Surroit.

Lushi ka thënë se sipas vlerësimit të tij, Surroi me këtë libër nuk i është afruar “Librit të Fluturave” botuar me 2011.

 

MË POSHTË POSTIMI I PLOTË:

Një letër në vend të një reflektimi pas një leximi

 

Ka pesë-gjashtë javë që e kam kryer së lexuari librin e Veton Surroit “Këmbët e Gjarprit”, të cilin e huazova nga Anna Di Lellio. Gjatë leximit mbajta edhe shënime dhe herë qeshë i zhgënjyer herë i entuziazmuar. Sipas vlerësimit tim Surroi me këtë libër nuk i është afruar “Librit të Fluturave” botuar me 2011. Kisha ndërmend të shkruaja një reflektim mbi përshtypjet dhe validitetin e argumenteve dhe persiatjeve të publicistit Surroi, mirëpo asnjëherë nuk arrija ta ravijëzoja formën e të shkruarit si duhet. Bota shqiptare e ka një mungesë të madhe që nuk debaton dhe jep e merr për idetë dhe librat e një duzine mendjesh të mprehta shqiptare. Nuk është me rëndësi të pajtuarit apo të mospajtuarit me çka thuhet përderisa në mënyrë civile thehen shtizat e argumenteve dhe publiku përfiton nga shkëmbimi. Pastaj, në ndërkohë, ndodhën ngjarjet e stuhishme dhe farfuritëse të janarit në Prishtinë, dhe shtjella e kohës e qiti idenë për shkrimin mbi “Këmbët e Gjarpërit” në rrethin e dytë. Sonte as vetë nuk e di se si rashë në një letër, pjesë e një shkëmbimi me gazetarin ndër më profesionistët në universin shqiptar Augustin Palokaj, dhe, ndonëse nga viti 2003, ajo më duket që parathotë shumë nga gjërat që mund të thuhen për bërthamën e librit “Këmbët e Gjarpërit”– respektivisht relacionin Thaçi-Surroi. Shpresoj që protagonistët e të gjitha fushave në arealin shqiptar– në atdhe dhe kudo jetojmë– do të përmirësojmë shikimin bardh e zi që i japim njëri tjetrit në përgjithësi. Shqiptarët, si të gjithë njerëzit tjerë, jemi qenie shumëngjyrëshe dhe edhe bota jonë është shumëngjyrëshe.

Letra ime Augustin Palokajt
23 maj 2003

New York

I dashur Augustin,
derisa me thirr për dialog ja ku e ke gatishmërinë time të dialogojmë.
E para-
të kam shkruar edhe më përpara lidhur me nevojën dhe dobinë te përkrahet Thaçi për guximin te dalë me diçka te re dhe po ashtu të kam shprehur lëvdatat e mia qe ti personalisht, edhe me guxim edhe me profesionalitet, ke ditur të përkrahesh kryetarin e PDK-së. Gjithashtu, nuk do të duhej të harroj, të kam informuar për bllatën në të cilën rashë unë duke iu falënderuar Adriatik Kelmendit dhe tash nuk e kam mundësinë te bëj asgjë që eventualisht të ingranohem ne çfarëdo qofte debati pasi do te dukesha shume jopragmatik, konfuz, mbajtës i aneve dhe mbase edhe paradoksal.

E dyta-

pavarësisht nga mendimi i përgjithshëm mbi editorin e gazetës “Koha Ditore”, që ndonjëherë e gjuan krejt poshtë e ndonjëherë e ngrit atë në piedestale tepër te larta, unë mendoj se Veton Surroi është një kapital i jashtëzakonshme për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ai është një mendje e bukur, e zgjuar, dhe– si thonë amerikanët për majën e organizatave të biznesit– “flagship representative” i një Kosove moderne, liberale dhe entreprenurale. Sidoqoftë, si shume njerëz te jashtëzakonshme, shpeshherë, Surroi di të jetë edhe përjashtues, dhe ndonjëherë bile edhe destruktiv. Që të jem më  korrekt me editorialistin konçiz, kjo, është shumë e mundshme, ndoshta ndodh edhe pa vetëdijen e tij!

Shembull konkret për këto përfundime te miat është informacioni të cilin ti ma servon në e mailin e fundit. Nëse Surroi paskësha biseduar dhe qenka konsultuar me Thaçin paraprakisht, atëherë pse hedhja poshtë totale e idesë së moratoriumit dhe sulmimi i Thaçit?
Ti mund te thuash se unë nuk jam drejt në këto konstatime, por lexuesi i vëmendshëm e sheh qarte se Surroi ne reakcionin e tij ndaj shkrimeve dhe idesë së Thaçit, përpos nga pozicionet e publicistit, flet edhe nga pozicionet e politikanit, respektivisht të të interesuarit të inkuadrohet në politikë. Dhe gjithçka është në rregull me një perspektive të tillë, nëse Surroi vërtetë do të kishte një platformë origjinale ose tjetër nga cilido personalitet në Kosovë; mirëpo çfarë ai ofron janë ca ide të cilat nuk mbulojnë as afër tërë kornizën e madhe të të bërit shtet. Njeriu i arsyeshëm, ne fakt, as nuk do të duhej te priste diçka të tillë nga një personi vetëm dhe në këtë kontest unë dëshiroj t’i besoj sinqeritetit të Veton Surroit se ai tenton të japë kontributin e tij, porse po e theksoj decidivisht:shteti nuk bëhet me personalitete, por me ekipe, institucione dhe administratë (burokratike). Prandaj, mendimi im lidhur me Surroin është, se nëse ai ndihet se dëshiron të kontribuoj politikisht edhe konkretisht për çështjen e Kosovës, do te duhej të angazhohej në politikë duke formuar ose parti ose duke dalë në krye të një lëvizjeje qytetare, e cila në nivelin e saj udhëheqës do të inkuadronte njerëz të cilët do të kenë vetëm një busull- atë te paraqitjes së ideve alternative të qeverisjes derisa të vijnë në pozitë dhe pastaj të etablimit të institucioneve. Në ketë ndërlidhje, po lejoj të tingëlloj pak përsëritës, liderët nuk janë të nevojshëm. Kush është i nevojshëm janë menaxheret, të cilët do të drejtonin institucionet sipas parimit te efiçiences në teorinë ekonomike të firmave të biznesit.

Mund te shtrosh pyetjen: po si mund të bëhet politika pa politikanë? Kjo do të ishte një pyetje shumë e mirë. Politikanët duhet të ekzistojnë. Mirëpo këtë rol do ta luanin menaxheret më të suksesshëm, pra ata të cilët do te dëshmoheshin me rezultate. Tash mund të shtrosh përsëri një pyetje tjetër: po si do te kualifikoheshin këta menaxherë në hierarkinë politike?

Në dy mënyra- duke bindur elektoratin se ata janë më të aftit dhe duke pranuar fair play në ndërkomunikimet e tyre, natyrisht, gjithmonë duke marrë parasysh se është interesi i tyre i përgjithshëm që të përkrahin njëri-tjetrin, pasi që pa këtë edhe nuk është i mundshëm qëllimi primar ose shteti, dhe, rrjedhimisht, pa shtet edhe politikanët janë vetëm grupacion qesharaki uzurpatoreve të disa benefiteve minore.

Nëse gjërat venerohen nga ky prizëm, me aq sa unë di mbi personalitetet në Kosove, momentalisht, dy janë personat të cilët plotësojnë konditat të konsiderohen për këto funksione. Njëri është Hashim Thaçi dhe tjetri VetonSurroi. (Padyshim mund të ketë edhe të tjerë, por përderisa komunikimi ynë është inicuar nga interrelacioni Thaçi-Surroi, unë po ndalem vetëm te këta dy).
Hashim Thaçi ka dëshmuar tashme një guxim, talent dhe aftësi te pakundshoqe te operoje si lider dhe udhëheqës i vërtete, sikur ka qenë ende nën hije edhe tash kur është nen dritat e reflektorëve te aktivitetit publik. Rezumeja e tij është spektakulare, dhe, si gjithmonë në spektakularitet, në atë rezume mund të gjesh edhe gafe, por të mos harrohet se njerëzit qe ndërmarrin veprime të mëdha gjasa është shumë e madhe se do të bëjnë edhe gabime që logjikisht do të jenë të mëdha. Thaçi është një pararendës sui generis. Ai, më shume se sa më pak, ka qenë përpara ngjarjeve dhe me guximin, që rezulton edhe nga fakti se ai është në moshë të re dhe plot élan,ka ditur të pozicionohet dhe te qëndroj fortë në pozicionet  e tij. Por, kapitali nga lufta dhe vështirësitë gjatë saj janë e kaluar dhe ish-drejtori i UÇK-së ne kohërat e tashme dhe të ardhme duhet të përballet me diçka krejt tjetër– kënetën burokratike.

Unë personalisht nuk e njoh Thaçin që të mund të vije te ndonjë mendim përfundimtar dhe të mençur për personalitetin e tij dhe aftësinë të adaptohet përpos faktit se ai është një mbijetues, porse zhvillimet e pasluftës nuk e kanë mbijetesën si qellim primar. Thaçi është në disavantazh kundrejt Surroit në faktin se ka një background tjetër dhe ndoshta ka edhe komplekse inferioriteti lidhur me atë background, te cilat, nëse i ka, do të duhej t’i flakte tutje sa më parë për arsye se ai mund te jetë krenar për inteligjencën e lartë natyrore.

Sido që të jetë, po i lë spekulimet dhe po dal te thelbi i çështjes– njeriu numër një i PDK-së është në pozitë pak paradoksale–në njërën anë ai është primati, kurse, nën anën tjetër, qeveria udhëhiqet nga një person që nuk është ai. Padyshim një pozicion i vështire për të manovruar në aspekte tjera, por jo politike. Sipas mendimit tim Hashim Thaçi është duke vepruar drejt kohëve të fundit të latojë imazhin e tij dhe është duke milituar drejt moralisht derisa nuk i injoron pakicat e Kosovës. Unë besoj se ai do të duhej të bashkëpunonte me shume me Kryeministrin Rexhepi, pastaj Rexhepi me Rugovën dhe kështu të vendosej një mekanizëm në lëvizje brenda për brenda Kosovës dhe që do të përgatiste Kosovën për kontaktet eventuale me Beogradin. Në këto kontekste të bindjeve të mia, p.sh., deklaratat si ato te Rexhepit se nuk do të takohem me Zhivkoviqin kokë më kokë në asnjë mënyrë, unë mendoj se janë diletante sepse nëse vërtetë ai mendon ashtu nuk ke nevojë të shpreh këtë në publik, ose, nëse donte të shprehej gjithsesi, do të duhej të ishe më diplomatik dhe t’ mos e qiste veten në pozitën e kryefortit dhe refuzuesit. Mund të them se Thaçi bile do të duhej të punonte fuqishëm që kur Rexhepi të ketë kryer të veten të marrë postin e Kryeministrit.

E kam plotësisht të qartë se problemi i Kosovës është një problem shumë i vështirë, prandaj me siguri edhe nuk është korrekte të flas kaq shume për politikajt në Kosove, por vetëm desha të bëj një pasqyrim të venerimeve të mia nga larg, qe përfundon për Thaçin me besimin tim se ai nuk do të duhej te dilte ne shtyp, TV dhe tribuna kaq shumë duke vazhduar ta mbllaçitë idenë e moratoriumit dhe nëse do të dëshironte te komunikoj me publikun do të duhej të punonte dhe në bashkëpunim me akademikë dhe ekspertë të dilte me ide për projekte ekonomike duke vazhduar të punoj ne prapaskenë ne projektet politike, sidomos tani për tani, derisa ende janë në pushtet në Tiranë disa nga lidhjet e tij, të cilat unë parashikoj se do të bien nga pushteti mbase duke e kthyer fuqinë e Rugovës edhe njëherë në skenën e Kosovës.

 

Thaçi dhe Surroi mund të mendojnë çfarë të donë por ata nuk janë aleatë natyrorë të njeri-tjetrit. Fatkeqësisht ky fakt është i dëmshëm për te dy sepse fituesi i vetëm i kësaj mosaleance është Ibrahim Rugova, i cili ne kaos gjithmonë lulëzon.

Tani, se më duket u zgjata tepër, nja pesë-gjashtë fjali për Veton Surroin dhe po e përfundoj. Njëri ndër njerëzit më të fuqishëm të pushtetit të katërt– mediave, ai megjithatë ndoshta nuk do të bëhet kurrë Berluskoni shqiptar sepse për fat të mirë Kosova ka shpëtuar nga një monopol i tillë italian falë participantëve të tjerë në këtë veprimtari, porse, padyshim, ai është, dhe mbase do të mbetet, më i fuqishmi. Personalitet me lidhje të fuqishme përjashta, Surroi më kujton hebreun e madh Abba Eban, i cili kurrë nuk u pranua në Izrael, por që deri në vdekje qe një yll ndriçues i Izraelit përjashta, dhe, si i tillë, djali i diplomatit Rexhai Surroit, ndoshta e ka më mirë të koncentrohet që të mbes jashtë politikës mirëpo duke u pozicionuar sinqerisht në krahun e Thaçit ngase kështu mund të bëjë shumë më shumë.

E ceka me lartë se Thaçi dhe Surroi nuk janë aleatë natyral, por aleanca e tyre është dobiprurëse për të dy ata dhe ç’është më me rëndësi– për Kosovën. Kështu vije te fundi se Thaçi dhe Surroi duhet të bëhen pragmatikë dhe të bashkëpunojnë. Të tjerat janë të parëndësishme.
Dhe e treta-

Mendoj se do të duhej t’i ikim politikës në këto nderkomunikimet tona sepse politika e vlen të diskutohet vetëm kur je një insider dhe– nëse nuk jam gabim– asnjëri nga ne nuk jemi të tillë.

 

Të falat më të sinqerta,

 

Uk Lushi

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here