Krishtlindjet si festë në mes të traditës së shpikur dhe religjiozitetit

0

SHKODRAN RAMADANI

Po i afrohemi fundit të vitit dhe festat që vijnë bashkë me të sjellin një frymë më ndryshe nga pjesa tjetër e vitit. Përkundër faktit që periferia mbetet ende nën errësirë, shpirti i festës pushton sheshe qytetesh të dekoruara me bredha e drita dhe zemra njerëzish që dhurojnë pa rezerva urime e përgëzime të ngrohta për njëri-tjetrin. Aty-këtu shpërndahen ëmbëlsira dhe dhurata që gëzojnë jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që kanë nevojë të ndihen pjesë e shoqërisë. Dhe kjo, pavarësisht faktit që jemi vend me shumicë dërrmuese muslimane. Njerëzit u dëshirojnë njëri-tjetrit suksese, realizim të dëshirave dhe sikur fillon të ngjizet një ndjenjë dhe përkushtim i ri i solidaritetit. Përkatësia kolektive freskohet me gjak të ri dhe vetëdija e të përbashkëtës rritet. Këto janë disa nga rezultatet që sjellin festat, qofshin fetare, qofshin sekulare. Në këtë rast, kemi të bëjmë me festë fetare dhe universale, që tejkalon çdo kufi dhe për disa ditë bëhet pjesë e përditshmërisë tonë. Disponimi festiv nuhatet, dëgjohet dhe shihet nëpërmes zhurmës, dritës dhe aromës që sjell djegia e mjeteve piroteknike. Në TV non-stop shohim reklama me Santa Clausin, që me të qeshurat e tij të veçanta premton se do të troket edhe në dyert tona për të na sjellë dhurata. Mirëpo këto premtime në të shumtën e rasteve rezultojnë të rrejshme dhe ky fakt është i shkruar më së miri mu në të qeshurën e tij.

Të gjithë e dijmë se kjo festë bëhet për të kujtuar dhe nderuar momentin e lindjes së Krishtit, figurës kyçe në fenë e Krishterë. Mirëpo, bashkë me këtë festë vijnë edhe pyetjet dhe dilemat se a lindi Jezusi vërtet në ditën e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor, se a duhet apo nuk duhet të festohet kjo ditë? Bibla askund nuk tregon për ditën e lindjes së Krishtit. Në fakt, burime të ndryshme historike, sekulare e fetare, tregojnë se festimi i Krishtlindjeve, edhe 200 vite pas vdekjes së Krishtit, konsiderohej si mëkat: “në vitin 245 pas lindjes së Krishtit, teologu katolik Origeni refuzon festimin e Krishtlindjeve dhe madje vetë idenë e ditëlindjes së Krishtit, duke i shpallur si mëkate (Encyclopaedia Britannica,1910, f. 293, “Krishtlindjet”). Në vitin 354, një kronograf latin përmend Krishtlindjet, por as ai nuk flet për to sikur të ishin festival i pranishëm në masa (Po aty). Pra edhe pas afër 400 viteve nga vdekja e Krishtit, Krishtlindja ishte element i margjinalizuar. Si u bë pra që sot, 2 mijë vjet më pas, rreth 2 miliardë të krishterë, protestantë dhe katolikë, festojnë më 25 dhjetor Krishtlindjet dhe pse ata e festojnë këtë festë ashtu siç e festojnë: me Babadimër, me dre, bredha të dekoruar dhe veshtulla (bimë që rritet në Amerikën Veriore)? Si ndodhi që një ngjarje si Lindja e Krishtit të shpaloset si rrëfim që zhvillohet në një mjedis Amerikano Verior, një kontekst krejt tjetër nga ai i Lindjes së Mesme? Si u bë që Krishti, që ishte një person biologjik i rëndomtë në Lindjen e Mesme, në Amerikën Veriore dhe Evropë të pikturohet si figurë më bionde se edhe ylli i muzikës rok Kurt Cobain?

Zakonet bashkëkohore të Krishtlindjeve nuk derivojnë prej fondamenteve teologjike dhe shumica e tyre kanë zanafillë të vonshme. Megjithëse data e saktë dhe origjina e traditës së pemës së Krishtlindjeve është e panjohur, duket se bredhat së pari ishin dekoruar me molla në Strasburg të Francës, në vitin 1605 (Encyclopaedia Britannica, Enciklopedia e religjioneve të botës, f. 206, “Krishtlindjet). Përdorimi i parë i qirinjve thuhet të jetë bërë nga dukesha e Silesisë në vitin 1611 (Po aty). Kurora e Ardhjes – e bërë nga degë të bredhit, me katër qirinjë që tregojnë katër të Dielat e sezonit të Ardhjes – është edhe më e vonshme, veçanërisht në Amerikën e Veriut. Ky adet që filloi në shekullin XIX, por që pati rrënjë në shekullin XVI, fillimisht përfshinte një kurorë bredhi me 24 qirinjë (24 ditët para Krishtlindjeve që fillojnë me 1 dhjetor); meqenëse për shkak të qirinjve të shumtë kurora nuk shihej mirë, numri i qirinjve ishte zvogëluar në katër (Po aty).

Krishtlindjet, ashtu siç shohim tek festohen në perëndim, si festë ku familjet festojnë përreth vatrës së zjarrit së kaminës, me pemën e Krishtlindjes, dhuratat, kartolinat dhe gjelin e detit në pjatë të madhe janë sajime të cilat çojnë drejt çkristianizimit të lindjes së Krishtit, për shkak që ky proces filloi në periudhën e Anglisë Viktoriane përmes publikimit të veprës “Cicërimë e Krishtlindjeve”, me autor Charles Dickensin, në vitin 1843. Ta zëmë, shprehja “Merry Christmas” ishte popullarizuar pas daljes së këtij libri. Charles Dickens kështu ofron një kombinim të lutjes, mbledhive familjare, darkës, ëmbëlsirave, dritave dhe lojërave për ditën e Krishtlindjes. Ky kontribut i Dickensit ka shtyrë shumë njerëz që librin në fjalë ta quajnë “Ungjilli i ri”. Ky moment shënon daljen nga festimi i Krishterë i asaj kohe, kur njerëzit braktisnin ngrohtësinë e ambientit familjar dhe ecnin rrugës në të ftohtin e natës për të shkuar në Kishë dhe për t’u bërë pjesë e festës kolektive. Ky çkristianizim i Krishtlindjeve është i pashëm: sot shumë pak njerëz shkojnë në meshën e mesnatës dhe Santa Klausi ka zëvendësuar Krishtin si personazhi më i pranishëm në ditën e Krishtlindjeve. Vetë fjala angleze “Christmas” e ka prejardhjen nga anglishtja e vjetër: Cristes mæsse, që literalisht është “Mesha e Krishtit”. Fjala “masë” dhe “meshë” pra janë të përafërta dhe kjo mund të lexohet si ngjarje ku masa shkon në Kishë, pra duke u shpalosur si festë kolektive, e jo si mbledh familjare që sot është mënyra më e përhapur e festimit të Krishtlindjeve. Tomë Akuini dhe Shën Augustini kanë të bëjnë fare pak me traditën moderne të Krishtlindjeve. Krishtlindjet kështu mund të themi se janë konstrukt social dhe kulturor, një “traditë e shpikur” në terma të Eric Hobsbawm, i cili vëren se shumë tradita të cilat ne i mendojmë si antike, në të vërtet janë shpikje të vonshme, siç është, për shembull, nacionalizmi. Fundamentalistët dhe puritanët e krishterë nuk festojnë Krishtlindjet mu për këto arsye: nuk ekziston një bazë biblike për festimin e Krishtlindjeve dhe se festimi i tyre është shpikje moderne e perëndimit.

A i bën kjo Krishtlindjet më pak të rëndësishme? Përgjigja është e shkurtër: Jo, aspak. Krishtlindjet janë manifestim konkret i komunikimit dhe negocimit të formave universale të religjionit me kulturat lokale. Krishtlindjet janë forma të cilat prodhohen nga arrestimet që kontekstet lokale dhe historike u bëjnë kategorive universale, globale dhe ahistorike. Kështu, ky kombinim i elementeve lokale me frymën universale prodhon “universale konkrete”. Kjo është mënyra si religjioni lëshon rrënjë në tokë dhe përkthehet në rituale të përditshme. Rrëfim i ngjashëm shpaloset, për shembull, edhe tek fenomeni i kozmopolitanizmit. Në periudhën helene, kozmopolitanizmi ishte shpërndarë në të gjitha nivelet e shoqërisë. Njëra nga arsyet që mundësoi këtë fenomen ishte fakti se filozofia u bë religjion, fakt që edhe sot llogaritet si ndër karakteristikat kryesore të kulturës helene. Kultura helene përfaqëson, kështu, shembullin më të pastër të asaj se çfarë ndodh kur filozofia universale dhe kulturat partikulare lokale ekzistojnë njëra-krah-tjetrës me shekuj të tërë: ato miksohen dhe prodhojnë forma të reja të të dy elementeve përbërëse. Ato mundësojnë lindjen e formave të reja të “kozmopolitanizmit të rrënjosur” dhe të lokalizmit që është i hapur ndaj botës. Me “kozmopolitanizëm të rrënjosur” kuptohen vlerat që kanë të bëjnë me emocionalitetin, që buron prej nivelit të pastër të filozofisë abstrakte dhe prej emocioneve të përditshmërisë nga jeta e njerëzve. Duke u bërë simbol i identiteteve personale të njerëzve, filozofia kozmopolitane bëhet forcë politike dhe shoqërore. Dhe përmes trupëzimit të filozofisë në rituale, identitete të tilla krijohen, forcohen dhe integrohen në shpirtin e komuniteteve. Kjo është ajo çfarë ndodhi nga dyzimi i filozofisë dhe religjioneve në Greqinë e Lashtë.

Formacioni më i rëndësishëm që u ndikua nga kultura helene ishte Krishtërimi, një kombinim i qartë i universalizmit, filozofisë Greke (veçanërisht Stoicizmit dhe neo-Platonizmit) dhe besimeve religjioze lokale (sidomos Mesianizmi Hebraik). Ato, bashkërisht, etosin e Stoicizmit arritën ta integrojnë në masat e gjera të religjionit të krishterë. Në këtë kuptim, kozmopolitanizmi mund të quhet edhe religjion i sekularizuar e jo vetëm një filozofi abstrakte që thekson qendërsimin e angazhimit emocional dhe integrimit social. Edhe religjioni, edhe kozmopolitanizmi janë të lidhur me simbolin dhe ritualin, e jo vetëm me idetë e folura. Simbolet dhe ritualet janë ato që e fusin filozofinë në identitetin shoqëror. Dhe kjo, për sociologjinë kozmopolitane, sipas George Ritzer, është ajo që bën dallimin midis kozmopolitanizmit abastrakt dhe atij konkret.

 

Me procesin e globalizimit, që është një formë e gërryerjes së kulturave lokale përmes shpërndarjes së formave universale të të menduarit dhe jetuarit, konstruktet sociale dhe traditat e shpikura në përgjithësi, si dhe Krishtlindjet në veçanti, preken nga rrymimi i globalizmit. Kjo është ajo që Olivier Roy e quan çkulturorizim i religjionit. Globalizimi është një proces i çkulturizimit i cili kërkon që territori dhe hapësira kulturore e një shoqërie vendase të pengohet, shpërbëhet dhe më pas të skalitet sipas nevojave të aparateve të forcave të jashtme (Banerjee & Linestead, 2001). Në rastin e Kirshtlindjeve, pasojat e çkulturorizimit dhe riorganizimit të të gjitha elementeve lokale vijnë në formën e pengimit që puritanët e krishterë i bëjnë Krishtlindjes. Ky grup i njerëzve refuzojnë që ngjarjen e lindjes së Krishtit ta kufizojnë dhe burgosin në kafazin e një tradite të shpikur pak më shumë se një shekull më parë. Ata duan të thejnë të gjitha kufizimet historike, lokale e kulturore dhe të katapultohen në universin e abstraktes, ahistorikes, aty ku lidhjet me kulturat lokale dhe historike janë të këputura. Dinamikë e ngjashme shpaloset edhe në Islam, ku psh selefizmi refuzon Bidatin, risinë, atë që në këtë rast na shfaqet si traditë e shpikur apo si konstrukt social dhe kulturor dhe e cila përbën shkëputje dhe devijim nga lindja e Islamit, nga jeta dhe vepra e profetit Muhamed dhe shoqëruesve të tij. Kështu, ata refuzojnë të festojnë ditëlindjen e Muhamedit për shkak që një akt i tillë nuk gjen precedent në momentin e ngjarjes së lindjes së Islamit.

 

Në përgjithësi, festat, përjashto praninë e tepërt të logjikës së konsumit, që është element i fituar kryesisht nga logjika kapitaliste e modernitetit, që domethënë është karakteristikë historike e tyre dhe jo e mbrujtun në to, luajnë rol pozitiv për shoqërinë. Gjatë kohës sa ato zgjasin, njerëzit ngrohin marrëdhëniet ndërmjet vete dhe fondamentet e shoqërisë që mirëmbajnë kohezionin social forcohen. Ato në një mënyrë, apo tjetër, na rikujtojnë obligimet dhe detyrimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, aktin e sakrificës që përpiqet të mbushë boshllëqet sociale, të rrënojë inkonsistencat dhe kontradiktat që rëndojnë mbi supet e shoqërisë. Gjatë kohës së Krishtlindjeve në tokë zbret Fryma e Shenjtë, që është dashuria kolektive e njerëzve. Fundja, Krishti për këtë edhe u sakrifikua me vdekje, që të mund të shndërrohet në Frymë të Shenjtë, në dashuri në mes të njerëzve.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here