Krasniqi thotë se Bullgaria ka meritë të madhe për zhvillimin e IGJK-së

0

Në Pallatin e Drejtësisë së Bullgarisë, Instituti Gjyqësor i Kosovës dhe Instituti Nacional i Drejtësisë së Bullgarisë, nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum u nënshkrua nga Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe ai i Bullgarisë, Dragomir Yordanov. Pas nënshkrimit të memorandumit, drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës, Lavdim Krasniqi tha se me nënshkrimin e këtij memorandumi po konkretizohet bashkëpunimi mbi 10 vjeçar që ekziston në mes të dy instituteve. Ai shtoi se ky memorandum do të fuqizojë dhe do të zgjerojë fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy instituteve ne shërbim të ngritjes se kapaciteteve të gjyqësorit dhe prokurorisë se dy vendeve. Drejtori Krasniqi, tha se institutet dhe ekspertet e drejtësisë së Bullgarisë kanë meritë të madhe në zhvillimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe se, sipas tij, çdo herë kanë qenë të gatshëm për të mbështetur sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit Nacional të Drejtësisë së Bullgarisë, Dragomir Yordanov, tha se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve i cili vazhdon që një kohë të gjatë, sot me nënshkrimin e memorandumit po forcohet. Ai tha se Republika e Kosovës është partnere e rëndësishme e Bullgarisë dhe shtoi se përvojat që ka Bullgaria në sistemin e drejtësisë, do t’i ndajë me Kosovën.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit kanë marrë pjesë edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Bullgarisë, Llozan Panov, ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba dhe Minister-këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bullgari, Fitim Gllareva.
Nënshkrimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit është bërë gjatë një programi praktik shkëmbimi që po zhvillohet në institucione të ndryshme të gjyqësorit dhe prokurorisë në Bullgari, i cili është organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, ai i Bullgarisë dhe Projekti i BE-së “Mbështetje e reformës se edukimit gjyqësor në Kosovë”. Në këtë program po marrin pjesë prokurorë, gjyqtarë dhe staf administrativ nga sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor i Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here