KQShM e vlerëson të suksesshëm administrimin e pjesës së dytë të Provimit të Maturës

0

Sot në Kosovë është mbajtur pjesa e dytë e Provimit të Maturës Shtetërore. Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM), e ka vlerësuar të suksesshëm administrimin e procesit të Provimit të Maturës Shetërore (pjesa e dytë), të cilit këtë vit i janë nënshtruar rreth 33 mijë maturantë. Kryetari i këtij komisioni, Azem Guri ka thënë se procesi është organizuar edhe më mirë se sa në pjesën e parë. Guri ka falënderuar prindërit, maturantët, të gjithë administruesit, mbikëqyrësit dhe monitoruesit, që janë përkujdesur për mbarëvajtjen e këtij procesi, përfshirë kryetarët e komunave, drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, Policinë e Kosovës dhe organizatën BIRN për monitorimin e mbarëvajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore.

Kryetari i KQShM, ka thënë se janë raportuar disa parregullsi të vogla dhe të pakta në numër, të cilat nuk e dëmojnë procesin.
“Komisioni ka monitoruar në vazhdimësi gjithë procesin, duke përfshirë këtu edhe komunikimin në rrjetet sociale, ku disa manipuluesë kanë tentuar të japin përgjigje në pyetjet e testit”, ka theksuar Guri, duke shtuar se ndaj shkelësve të rregullave, sërish do të aplikohen masa ligjore, sikur edhe në pjesën e parë të Provimit të Maturës Shtetërore.
Gjatë ditës ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i ka bërë disa vizita nëpër qendra të testimit.

Ai fillimisht ka vizituar nxënësit, të cilët po testoheshin në qendrën e testimit në shkollën profesionale “28 Nëntori” në Prishtinë, e pastaj edhe nxënësit në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë.

Gjatë vizitës në shkollën “28 Nëntori”, ministri Bajrami ka theksuar se “Matura Shtetërore është test edhe kombëtar për pjekurinë tonë për të administruar një proces kaq të rëndësishëm”.

Rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës do të shpallen më 30 qershor 2015.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here