Kostandin Xhuvani dënohet me 35 vjet burg

0

Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Kostandin Xhuvanin me 35 vjet burg. Katër muaj pas vrasjes së 4 personave, 25 –vjeçari mëson se pjesën më të madhe të jetës do ta kalojë pas hekurave. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm, pasi gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar pak javë më parë. Personi që mban mbi supe 5 vrasje, përfshirë atë të Alfred Musabellit, më 12 shkurt të vitit 2011, e ka pritur vendimin me qetësi. Nuk bëri asnjë deklaratë.

Kostandin Xhuvani u arrestua mëngjesin e 4 nëntorit pranë fakultetit Ekonomik, pasi kishte qëlluar me pistoletë Edison Jahon dhe Enea Xhajn, dy persona me të cilët kishte patur konflikt të çastit, si dhe mikun e tij Arbër Demirajn dhe shtetasin italian Gianpaolo Azzola që ishte klient i lokalit “Ante Grand” ku ndodhi krimi.

Ai u arrestua pak metra larg lokalit të natës në rrugën e Elbasanit, në tentativë për t’u larguar. I kërkoi efektivit të policisë që ta falte, duke i thënë se ishte djali i deputetes Luiza Xhuvani. Bashkë me policin ndodhej edhe Enver Basha, një qytetar që duke udhëtuar me motoçikletën e tij, u përplas me Xhuvanin dhe mikun e tij Erald Sida, që po transportonin në makinë Arbër Demirajn që kishte vdekur. Basha e ndoqi Xhuvanin për afro 50 metra derisa bashkë me një efektiv të patrullës së policisë e bllokuan.

Një ditë më parë 25 –vjeçari kërkoi ndjesë për krimin e kryer, duke thënë se kishte qenë nën efektin e drogës dhe alkoolit.

Ky është dënimi i dytë që ai merr nga drejtësia shqiptare. Për vrasjen e Alfred Musabellit, në shkurtin  e vitit 2011 u dënua vetëm me 2 vjet burg.

Pas daljes nga burgu u shpall dy herë në kërkim nga policia. Një herë më 26 prill të vitit 2014, pasi dyshohej se kishte qëlluar me pistoletë disa të rinj në Gjirokastër dhe herën e dytë në qershor të 2014 kur policia hyri në Lazarat, pasi u dyshua se ishte anëtar i grupit të zjarrit që po qëllonte mbi forcat e rendit. Emri i tij u publikua nga Policia e Shtetit si një prej personave që gjendej në kodrat e Lazaratit. Dy ditë më pas e ëma, Luiza Xhuvani, do ta sillte përpara parlamentit për t’i treguar opozitës dhe publikut se djali ishtë në shtëpi, jo në fshatin e kanabisit. Ajo e mbrojti në këtë rast, por pak muaj më vonë, kur do të deklaronte dorëheqjen si deputete, kërkoi që të bëhet drejtësi. Dhe drejtësia vendosi: pasi mori 5 jetë njerëzish, ai do të vuajë 35 vjet në burg. Dhe nëse s’do të pëfitojë ulje dënimi, do të dalë nga qelia në moshën 60 –vjeçare.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here