Kosovarët në hall me Gjuhën shqipe apo Gjuha shqipe në hall nga ta?!

0

EGZONA KRASNIQI

Ajo është në shërbim të të gjithëve, por pothuajse të gjithë janë në hall me të. Domosdoshmëria e saj zotëron secilin, por pakkush zotëron me të. Libra të tërë janë shkruar vetëm e vetëm për ta përvetësuar atë. E për ëmbëlsinë dhe bukurinë e saj vargje kanë shkrirë edhe poetë të tërë. Dikur madje, edhe është luftuar me qëllim të vetëm për ta zhdukur atë. Lufta për të vazhdon edhe sot, por beteja zhvillohet mes asaj se kush  gabon më shumë me të.

Ndonëse gjuha shqipe ka gjithsej tridhjetë e gjashtë shkronja duke filluar nga institucionet kosovare, kompanitë e deri te studentët, shumica prej tyre përbëjnë vetëm një numër më shumë në koleksionin e gabimeve të tyre. Në betejën mes shkronjave shqipe mungesën apo tepricën e ndonjërës prej tyre e gjen  lehtësisht kudo.

Në një ndërtesë gjigante, në qendër të Fushë Kosovës mund të gjesh  gjithçka 1 euro, por aty assesi nuk e gjen dot shkronjën “ç”. Në dyqanet e rrobaqepëseve gjen lloj-lloj thurjesh por në mbishkrimin  e tyre asnjëherë nuk e gjen të qëndisur shkronjën”ë”. Hallin me shkronjën “ë”  e kanë edhe emërtimet e rrugëve e madje edhe të qyteteve në disa pjesë të Kosovës.

Teksa plotësoj një aplikacion për punë numri i gabimeve drejtshkrimore është dyfish më i madh sesa i kritereve për punësim  që kërkohen. Do të duhej  pak mund, që së paku fjala “pun”  të merrte  edhe një “ë”, në fund.

“Mirësevini” thonë pllaka të tëra kudo. Kosovarët janë aq mikpritës sa fjalët mirë dhe vij s’ka kush që ju ndan  dot.

”Mos hudhni bërdhog” është një lutje tjetër që e gjejmë ngado. Kur sheh aq gabime drejtshkrimore në një fjali trifjalëshe, madje edhe  të bëhet qejfi që lutjen e tyre se dëgjon kush dot.

Raste të ngjashme e bile edhe më ekstreme gjen lehtësisht kudo. Para se kosovarët të jenë në hall me gjuhën, siç duket gjuha shqipe është në hall nga ta.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here