Kosova si mysafire shkatërron Maltën me 5:0

0

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në duel me Maltën në La Valetta, me rezultat 5:0, në kuadër të grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Kjo fitore ia ka mundësuar “Dardanëve” që ta mbajnë pozitën e parë në grup, me dy pikë më shumë se sa Azerbajxhani dhe tani i mjafton një pikë në ndeshjen e fundit pikërisht kundër azerëve në stadiumin “Fadil Vokrri” për të siguruar kalimin në “play-off” të Ligës D, si dhe promovimin në Ligën C për edicionin e ardhshëm. Njëherësh kjo ka qenë fitorja me rezultatin më bindës e “Dardanëve” në historinë e deritashme në garat ndërkombëtare, duke i bërë krenar të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Kosova e nisi rrufeshëm ndeshjen, duke krijuar raste të shumta. Në minutën e parë Vojvoda pati mundësi të mirë, por harkimi i tij nuk arriti tek bashkëlojtarët. Në minutën e 3-të, Rashica harkon në zonë, ku gjuan shkëlqyeshëm Muriqi me kokë, por topi shkon pranë shtyllës. Në minutën e 6-të Zeneli depërton nga e majta dhe e shërben Herolind Shalën, ky gjuan furishëm nga distanca, por pran portës. Gëzimi i parë për “Dardanët” erdhi në minutën e 15-të. Rashica ndërhyn në një top të kthyer nga mbrojta e vendasve dhe topi shkon te Vedat Muriqi, i cili përballë portierit nuk gabon, shënon për 1:0 për Kosovën. Në minutën e 22-të një kombinim i dyfishtë i Valon Berishës dhe Arbër Zenelit, ku ky i fundit del përballë portierit, por topi devijohet nga portieri. Më pas Valon Berisha kishte dy mundësi të mira në minutat 35’ e 40’, por gjuajtjet e tij nga brendësia e zonës nuk e gjetën cakun. Në periudhën e parë të pjesës së dytë ishin maltezët që morën iniciativën, por në minutën e 70-të qetësinë në kampin e “Dardanëve” e mundësoi Benjamin Kololli me një gol me parabolë, pas një ngatërrese të mbrojtësve vendas, 2:0. Ndërkohë, në 12 minutat e fundit të ndeshjes Kosova mbizotëroi plotësisht. Donis Avdijaj me të hyrë në lojë shënoi pas asistimit të Muriqit, në minutën e 78-të për 3:0, kurse ende pa kaluar dy minuta Avdijaj shënoi edhe golin e dytë kësaj radhe pas asistimit të Rashicës, për 4:0. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 5:0 e vulosi Milot Rashica, në minutën e 86-të, me një gjuajtje nga distanca.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here